Ashley Graber dhe Maria Evans janë psikoterapiste dhe trajnere prindërimi të njohura në mbarë botën. Ato kanë ndihmuar mijëra familje të përballen me sfidat emocionale të fëmijëve, dhe së fundmi bashkëautore të libri “Të rrisim fëmijë të qetë në një botë plot shqetësime: Mjete për të lehtësuar ankthin dhe mbingarkesën”. Me përvojën e tyre shumëvjeçare në mbështetjen e fëmijëve dhe prindërve, ato ndajnë njohuri thelbësore për të kuptuar burimet më të zakonshme të ankthit tek fëmijët – dhe si mund të ndihmohen nga të rriturit.

Sipas Graber dhe Evans, prindërimi në ditët e sotme është bërë më sfidues se kurrë më parë. Shumë fëmijë, përfshirë edhe ata të moshave të vogla, përballen me ankth të vazhdueshëm dhe shpesh prindërit ndihen të pafuqishëm për t’i ndihmuar. Ato theksojnë se hapi i parë për të qenë mbështetës ndaj një fëmije të shqetësuar është kuptimi i asaj që e shkakton ankthin.

Ekspertet identifikojnë gjashtë burime kryesore të ankthit tek fëmijët, të cilat shpesh prindërit nuk i vënë re:

1. Dinamikat sociale

Graber dhe Evans vërejnë se fëmijët fillojnë të shqetësohen shumë për mënyrën si i perceptojnë të tjerët. Kur ndihen të ndryshëm – për nga pamja, kultura, raca apo interesat – ata mund të përjetojnë ndjenjë përjashtimi apo frike nga bullizmi.

2. Rrjetet sociale

Sipas tyre, platformat online shtojnë ankthin social, duke krijuar presion për të qenë “në nivelin e duhur”. Fëmijët krahasojnë veten me imazhet perfekte që shohin në internet, gjë që dëmton vetëvlerësimin dhe rrit ndjenjat e pamjaftueshmërisë.

3. Ndryshimet e mëdha në jetë

Ekspertet theksojnë se ndryshimet si zhvendosja apo një anëtar i ri në familje mund të sjellin ndjenja humbjeje dhe pasigurie. Edhe ngjarjet pozitive kërkojnë kohë për t’u përpunuar emocionalisht nga fëmijët.

4. Ngarkesa e tepërt ditore

Një tjetër burim ankthi është mungesa e pushimit. Graber dhe Evans paralajmërojnë se një rutinë tepër e ngarkuar me mësime dhe aktivitete lë pak hapësirë për lojë spontane, e cila është jetike për shëndetin emocional të fëmijëve.

5. Mungesa e qëndrueshmërisë

Sipas tyre, pasiguria në rutinë dhe ndryshimet e papritura – si premtime të pambajtura apo qëndrime të paqarta nga kujdestarët – ndikojnë në ndjesinë e sigurisë së fëmijës.

6. Trauma dhe ngjarjet stresuese

Edhe ngjarjet që duken të vogla për të rriturit, mund të ndikojnë thellë tek fëmijët. Një situatë e frikshme apo e dhimbshme mund të lërë gjurmë dhe të rikthehet në formën e ankthit kur fëmija përballet me diçka që ia kujton atë përvojë.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Graber dhe Evans sugjerojnë disa strategji të thjeshta por të fuqishme, që prindërit mund t’i përdorin për të ndihmuar fëmijët të përballojnë shqetësimet:

1. Të emërtohen ndjenjat
Ato rekomandojnë që fëmijët të mësojnë të identifikojnë dhe të flasin për ndjenjat e tyre. Kjo i ndihmon ata të ndihen të kuptuar dhe të mësojnë se ndjenjat nuk duhen fshehur.

2. Frymëmarrja e vetëdijshme
Graber dhe Evans propozojnë një ushtrim të thjeshtë: fëmija vendos dorën mbi bark dhe merr tre frymëmarrje të thella, duke ndjerë “balonën” që fryhet dhe shfryhet. Ky ushtrim ndihmon në qetësimin e trupit dhe mendjes.

3. Përdorimi i frazave mbështetëse
Ekspertet sugjerojnë që prindërit t’i mësojnë fëmijëve të përdorin fraza pozitive, si “Edhe kjo do të kalojë”, apo “Unë jam i aftë ta përballoj këtë”. Këto ndihmojnë në ndërtimin e vetëbesimit.

4. Planifikimi i kohës për shqetësim
Një teknikë tjetër është caktimi i një kohe të veçantë për të folur për shqetësimet. Graber dhe Evans shpjegojnë se kjo i jep fëmijës një ndjenjë kontrolli dhe kufizon ndikimin e ankthit gjatë gjithë ditës.

Me përvojën e tyre si trajnere të mbi 8,000 profesionistëve të shëndetit mendor dhe me kontributin në trajnime për prindër në kompani ndërkombëtare, Ashley Graber dhe Maria Evans janë sot ndër zërat më të besuar në fushën e mbështetjes emocionale për fëmijët dhe familjet. Libri i tyre “Të rrisim fëmijë të qetë në një botë plot shqetësime” ofron ushtrime praktike dhe këshilla të mbështetura në studime shkencore, për t’u zbatuar në shtëpi apo në ambiente terapike.

cnbc