Lenore Skenazy argumenton se kriza e ankthit dhe izolimit te fëmijët nuk lidhet vetëm me ekranet, por edhe me një fëmijëri ku hapësira për lojë, eksplorim dhe përvoja të pavarura është zvogëluar ndjeshëm.

Lenore Skenazy, gazetare dhe autore e njohur për analizat mbi pavarësinë e fëmijëve dhe ndryshimin e përvojës së fëmijërisë në shoqërinë moderne, argumenton se zhvillimi i fëmijëve nuk varet vetëm nga kufizimi i përdorimit të teknologjisë. Përmes punës së saj, ajo promovon rëndësinë e lojës së lirë, eksplorimit dhe përvojave të përshtatshme për moshën si elementë të rëndësishëm për rritjen e vetëbesimit dhe pavarësisë së fëmijëve.

Në një analizë të publikuar në “The Guardian”, Skenazy thekson se kriza e shëndetit mendor te fëmijët nuk mund të shpjegohet vetëm me përdorimin e telefonave inteligjentë. Sipas saj, një rol të rëndësishëm luan edhe humbja graduale e pavarësisë së fëmijëve, pakësimi i lojës së lirë dhe mungesa e mundësive për të eksploruar botën përreth pa mbikëqyrje të vazhdueshme nga të rriturit.

Telefoni është bërë simboli i problemit, por jo domosdoshmërisht shkaku i vetëm

Në vitet e fundit, telefoni inteligjent është kthyer në objektin kryesor të kritikave kur flitet për ndryshimin e mënyrës se si fëmijët rriten. Shumë prindër dhe ekspertë shqetësohen për kohën e kaluar para ekranit, ndikimin e rrjeteve sociale dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve që nuk janë të përshtatshme për moshën.

Megjithatë, sipas Skenazy, debati mbi telefonat nuk duhet të fshehë një ndryshim më të madh që ka ndodhur në jetën e fëmijëve: humbjen e mundësive për të luajtur lirshëm, për të krijuar marrëdhënie me bashkëmoshatarët dhe për të marrë vendime vetë.

Sipas saj, fëmijëria ka ndryshuar jo vetëm sepse fëmijët kanë më shumë akses te teknologjia, por edhe sepse hapësira e tyre fizike dhe sociale është bërë gjithnjë e më e kufizuar.

Nga eksplorimi i lagjes te qëndrimi nën kontroll të vazhdueshëm

Për shumë breza më parë, një pjesë e madhe e fëmijërisë kalonte jashtë shtëpisë: në rrugë, në oborre, në parqe apo në lagje, ku fëmijët krijonin lojërat e tyre dhe mësonin të zgjidhnin situata pa ndërhyrjen e vazhdueshme të të rriturve.

Sot, për shumë familje, kjo realitet është zëvendësuar nga një rutinë më e kontrolluar: udhëtime me makinë edhe për distanca të shkurtra, aktivitete të organizuara pas shkolle dhe mbikëqyrje pothuajse e pandërprerë.

Skenazy argumenton se kjo prirje ka filluar përpara epokës së telefonave inteligjentë. Pra, sipas saj, edhe nëse ekranet do të kufizoheshin, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të rikthyer një fëmijëri më aktive dhe më sociale.

Frika e prindërve dhe ndikimi te fëmijët

Një nga argumentet kryesore të autores është se frika është bërë një faktor i rëndësishëm në mënyrën se si prindërit rrisin fëmijët sot.

Shqetësimet për sigurinë, lajmet negative të transmetuara pa ndërprerje dhe presioni për sukses akademik apo sportiv kanë bërë që shumë prindër të kufizojnë gjithnjë e më shumë lirinë e fëmijëve.

Sipas Skenazy, kjo mbrojtje e vazhdueshme mund të ketë edhe pasoja të padëshiruara, pasi fëmijët kanë më pak mundësi të zhvillojnë aftësi të rëndësishme si zgjidhja e problemeve, marrja e përgjegjësive dhe ndërtimi i besimit te vetja.

Lidhja mes lojës së lirë dhe shëndetit mendor

Në analizën e saj, Skenazy i referohet edhe kërkimeve të psikologut Peter Gray, i cili ka studiuar lidhjen mes uljes së lojës së lirë dhe rritjes së problemeve të shëndetit mendor te fëmijët.

Sipas këtyre studimeve, fëmijët që kanë më shumë mundësi për lojë të pavarur dhe ndërveprim social kanë më shumë hapësirë për të zhvilluar aftësi emocionale dhe sociale.

Loja e lirë nuk është thjesht argëtim. Ajo është një mënyrë përmes së cilës fëmijët mësojnë të negociojnë me njëri-tjetrin, të përballen me sfida, të marrin vendime dhe të ndërtojnë vetëbesimin.

Pavarësia nuk do të thotë mungesë kujdesi

Argumenti i Skenazy nuk është që fëmijët duhet të lihen pa rregulla apo pa mbështetje.

Ajo thekson se pavarësia duhet të ndërtohet gradualisht dhe në përputhje me moshën e fëmijës. Prindërit kanë një rol të rëndësishëm në mësimin e rregullave të sigurisë, vendosjen e kufijve dhe krijimin e një mjedisi ku fëmijët mund të fitojnë më shumë përgjegjësi.

Qëllimi, sipas saj, nuk është të hiqet dorë nga kujdesi prindëror, por të gjendet një ekuilibër mes mbrojtjes dhe besimit.

Një ndryshim që mund të nisë nga komuniteti

Një nga idetë që përcjell analiza e Skenazy është se rikthimi i lojës së lirë mund të fillojë edhe me hapa të vegjël: familje që bashkohen në lagje, fëmijë që luajnë së bashku dhe prindër që krijojnë hapësira ku të vegjlit mund të ndërveprojnë më shumë me njëri-tjetrin.

Sipas saj, shumë fëmijë nuk kërkojnë domosdoshmërisht më shumë kohë online. Ata duan atë që kanë pasur brezat e mëparshëm: miqësi reale, aventura të vogla dhe ndjesinë se bota përreth tyre është një vend ku mund të eksplorojnë.

Në fund, debati nuk është vetëm për telefonat. Është për mënyrën se si shoqëria moderne po e koncepton fëmijërinë. Sipas Lenore Skenazy, për t’u dhënë fëmijëve një zhvillim më të shëndetshëm, ndoshta nuk mjafton vetëm t’u mbyllet ekrani. Ndonjëherë duhet t’u hapet edhe dera drejt botës jashtë./theguardian