Megjithëse rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2022 evidentuan një rënie të ndjeshme të performancës së nxënësve shqiptarë 15-vjeçarë, një analizë më e detajuar e të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) nxjerr në pah një tregues pozitiv për Shqipërinë: përfaqësimin e lartë të vajzave mes nxënësve me rezultatet më të mira në matematikë.

Ky konstatim përfshihet edhe në raportin më të fundit të Perspektivës Ekonomike të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas të dhënave të analizuara, vajzat përbëjnë rreth 40% të grupit të nxënësve që renditen në 2% më të mirët në matematikë në Shqipëri. Ky nivel është mbi mesataren e vendeve të grupit G7, duke e pozicionuar vendin në një kategori ku pjesëmarrja e vajzave në nivelet më të larta të arritjeve matematikore është relativisht e lartë.

Analiza tregon se në shumë vende vajzat po rrisin gradualisht praninë e tyre në fushën e matematikës. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve ku kjo prirje është më e dukshme, megjithëse shtete si Malajzia, Mongolia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rusia raportojnë nivele edhe më të larta të përfaqësimit të vajzave mes talenteve të matematikës.

Sipas studimit, vendet me trashëgimi postkomuniste, përfshirë Shqipërinë, shfaqin një hendek gjinor më të ngushtë në matematikë krahasuar me shumë ekonomi të tjera. OECD e lidh këtë fenomen me traditën historike të përfshirjes më të madhe të grave në arsim, tregun e punës dhe në fusha të lidhura me shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën (STEM).

Ekspertët vlerësojnë se kjo trashëgimi vazhdon të ndikojë pozitivisht në reduktimin e pabarazive gjinore në talentet akademike. Sipas tyre, ky potencial mund të shndërrohet në një avantazh konkurrues për ekonominë, nëse mbështetet nga politika të qëndrueshme në arsim dhe zhvillimin social.

Raporti thekson gjithashtu se në nivel global hendeku gjinor në matematikë priret të jetë më i theksuar në segmentin e nxënësve me performancë shumë të lartë, veçanërisht në ekonomitë e avancuara. Në vendet në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, diferencat gjinore në nivelet e ekselencës janë më të kufizuara.

Sipas vlerësimeve të raportit, potenciali i vajzave me rezultate të larta në matematikë mund të luajë një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë të shtuar, ku kërkohen aftësi të avancuara analitike dhe teknologjike.

Në kushtet kur kërkesa globale për profesionistë në programim, inxhinieri dhe fusha të tjera të teknologjisë po rritet vazhdimisht, kapitali njerëzor i formuar mirë në matematikë konsiderohet një aset strategjik për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit./monitor