Shkollat gjithëpërfshirëse janë ato shkolla ku fëmijët me aftësi të kufizuara mësojnë së bashku me fëmijët e tjerë.
Fëmijët shqiptar me aftësi të kufizuara intelektuale që ndjekin shkollat në vendin tonë kanë nevojë për libra të veçantë për t’i ndihmuar të mësojnë dhe të zhvillohen siç duhet, sidomos gjatë viteve të para të shkollës.
Por në Shqipëri, këto libra mungojnë në shkollat gjithëpërfshirëse. Kjo bën që fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale të hasin vështirësi për të ndjekur mësimet në të njëjtin ritëm me fëmijët e tjerë.
Në vitin 2021, ekspertë nga Shqipëria dhe Kosova krijuan një libër të ri mësimor të përshtatur për nevojat e këtyre fëmijëve.
Ministria e Arsimit në Shqipëri e miratoi përdorimin e këtij libri në shkolla të specializuara për fëmijë me aftësi të kufizuara. Por ekspertët dëshironin që libri të provohej edhe në shkollat gjithëpërfshirëse. Për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për këtë çështje, libri ende nuk është përdorur në shkolla tona.
Historia e Edenit
Çdo mëngjes, Anis Gjoka e dërgon djalin e tij 7-vjeçar, Edenin, në qendrën Pro Pak në Tiranë, ku ai ndjek terapi për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale. Kjo mbështetje është thelbësore për Edenin, i cili së fundmi ka filluar klasën e parë në një shkollë gjithëpërfshirëse.
Përdorimi i teksteve shkollore është një sfidë për Edenin, por prindërit dhe specialistët po punojnë për t’ia lehtësuar mësimin. Babai i Edenit tregon se i kanë blerë disa libra në formë pazelli, në mënyrë që ai të mësojë alfabetin dhe numrat përmes lojës, pasi është thuajse e pamundur të kapë ritmin me tekstet shkollore të zakonshme.
Flavia Shehu, terapiste e Fondacionit Shqiptar të Sindromës Down dhe e qendrës Pro Pak, është e specializuar në bërjen e informacionit më të aksesueshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale. Së bashku me ekspertë nga Shqipëria dhe Kosova, ajo zhvilloi një abetare posaçërisht për këta fëmijë. Në vitin 2021, kjo abetare i është dërguar Ministrisë së Arsimit për miratim.
Flavia tregon se teksti i abetares në shkolla është relativisht i ngarkuar dhe nuk i plotëson nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale. “Prandaj, ne kemi sjellë këtë tekst të thjeshtëzuar, i cili është më i përshtatshëm për kapacitetin intelektual dhe njohës të këtyre fëmijëve,” shpjegon ajo. “Kështu ata mund të ndihen sa më të barabartë me fëmijët e tjerë dhe të mos punojnë vetëm mbi plane individuale edukimi.”
Ministria e Arsimit e aprovoi pilotimin e abetares vetëm në disa shkolla speciale. Ekspertët prej tre vitesh kërkojnë që abetarja të përdoret edhe në shkollat gjithëpërfshirëse, por deri tani kjo kërkesë nuk është pranuar.
Specialistja Flavia Shehu shpjegon: “Ne kemi leje ta pilotojmë abetaren në shkolla speciale, por duam që ajo të përdoret edhe në të gjitha shkollat gjithëpërfshirëse. Kjo do të na ndihmonte të marrim mendime nga shumë mësues për ta përmirësuar tekstin dhe për ta bërë sa më të përsosur për fëmijët me aftësi të kufizuara.”
Edeni nuk është i vetmi fëmijë që përballet me këto sfida. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3,600 fëmijë me aftësi të kufizuara u regjistruan në arsimin fillor në Shqipëri në vitin shkollor 2022-2023.
Babai i Edenit rrëfen se abetarja e propozuar do t’i vinte në ndihmë djalit të tij dhe shumë fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuara intelektuale. Deri sa kjo të bëhet e mundur, familja e Edenit nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të ndjekë terapi shtesë, me shpresën se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje më të mirë.