Hulumtimet e reja kanë zbuluar se rreth shtatë orë gjumë është pushimi ideal i natës.

Shtatë orë gjumë u zbulua gjithashtu se lidhej me një shëndet më të mirë mendor. Njerëzit, që përjetonin më shumë simptoma ankthi dhe depresioni dhe gjendje të përgjithshme më të keqe , ishin ata që raportonin se flinin për periudha më të gjata ose më të shkurtra.


“Ndërsa nuk mund të themi përfundimisht se shumë pak ose shumë gjumë shkakton probleme konjiktive, analiza jonë, duke parë individët për një periudhë më të gjatë kohore, duket se e mbështet këtë ide,” tha Jianfeng Feng, një profesor në Universitetin Fudan të Kinës.

“Por, arsyet pse njerëzit e moshuar kanë gjumë më të dobët duket të jenë komplekse, të ndikuar nga një kombinim i përbërjes sonë gjenetike dhe strukturës së trurit tonë.”

Studiuesit nga Kina dhe Mbretëria e Bashkuar analizuan të dhënat nga pothuajse 500,000 të rritur të moshave 38 deri në 73 vjeç, të cilët ishin pjesë e Biobank në MB – një studim shëndetësor afatgjatë, i mbështetur nga qeveria. Pjesëmarrësit u pyetën për modelet e tyre të gjumit, shëndetin mendor dhe mirëqenien, dhe morën pjesë në një sërë testesh konjiktive. Imazhet e trurit dhe të dhënat gjenetike ishin të disponueshme për pothuajse 40,000 pjesëmarrës në studim.

Studime të tjera kanë zbuluar se të moshuarit që kanë vështirësi të konsiderueshme për të fjetur dhe që përjetojnë zgjime të shpeshta gjatë natës janë në rrezik të lartë për zhvillimin e demencës ose vdekjen e hershme nga ndonjë shkak, ndërsa gjumi më pak se gjashtë orë në natë është i lidhur me sëmundje kardiovaskulare.

Një arsye për lidhjen midis gjumit dhe rënies konjiktive mund të jetë ndërprerja e gjumit të thellë, që është kur truri riparon trupin nga konsumimi i ditës dhe konsolidon kujtimet. Pak gjumë shoqërohet gjithashtu me grumbullimin e amiloidit, një proteinë kryesore që mund të shkaktojë ngatërrime në tru që karakterizojnë një formë të demencës. Studimi tha gjithashtu se është e mundur që një kohë e zgjatur e gjumit rrjedh nga gjumi me cilësi të dobët dhe të fragmentuar. 

Dr. Raj Dasgupta, në Universitetin e Kalifornisë Jugore, tha se kohëzgjatja e gjumit ishte lidhur me probleme konjiktive, por nuk ishte plotësisht e qartë pse.

“Kjo vendos një shenjë për kërkimin e ardhshëm dhe kërkimin për trajtim,” tha Dasgupta, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. “Gjumi është thelbësor ndërsa rritemi, dhe kemi nevojë po aq sa të rinjtë, por është më e vështirë për t’u arritur”.

Studimi kishte disa kufizime – ai vlerësoi vetëm sa kohë flinin pjesëmarrësit në total dhe jo ndonjë masë tjetër të cilësisë së gjumit, siç është zgjimi gjatë natës. Për më tepër, pjesëmarrësit raportuan sasinë e tyre të gjumit, kështu që nuk u mat në mënyrë objektive. Megjithatë, autorët thanë se numri i madh i njerëzve të përfshirë në studim nënkuptonte se përfundimet e tij ishin të qëndrueshme.

Autorët thanë se gjetjet e tyre sugjeruan se ishte e rëndësishme që gjumi, në mënyrë ideale prej rreth shtatë orësh, të ishte i qëndrueshëm.

Studimi tregoi një lidhje midis kohëzgjatjes së gjumit dhe problemeve konjiktive, jo shkakut dhe pasojës, tha Russell Foster, një profesor në Universitetin e Oksfordit. Ai tha se studimi nuk kishte marrë në konsideratë statusin shëndetësor të individëve dhe se gjumi i shkurtër ose i gjatë mund të jetë një tregues i kushteve themelore shëndetësore me probleme konjiktive.

Ai tha gjithashtu se marrja e mesatares prej shtatë orësh si sasi ideale e gjumit “injoron faktin se ka një ndryshim të konsiderueshëm individual në kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit”. Më pak ose më shumë gjumë mund të jetë krejtësisht i shëndetshëm për disa individë, tha ai.

“Na thuhet rregullisht se nata ‘ideale’ e gjumit tek të moshuarit duhet të jetë shtatë orë gjumë të pandërprerë. Ky besim është i gabuar në shumë mënyra. Gjumi është si madhësia e këpucëve; një numër nuk i përshtatet të gjithëve, dhe duke klasifikuar gjumi i mirë në këtë mënyrë mund të shkaktojë konfuzion dhe ankth për shumë njerëz,” tha Foster.

“Sa kohë flemë, koha e preferuar e gjumit dhe sa herë zgjohemi gjatë natës ndryshon shumë midis individëve dhe me kalimin e moshës. Gjumi është dinamik dhe ne të gjithë kemi modele të ndryshme gjumi dhe gjëja kryesore është të vlerësojmë se cilat janë nevojat tona individuale.”

CNN