Artikulli u publikua në Revistën nr. 1 të Kallz. Najla Maria është një vajzë rrëzëllitëse, plot dritë, botë. Pikërisht nga ato vajzat që çdo nënë do të ëndërronte ta kishte. Përveç bukurisë së përsosur, të bie menjehëre në sy inteligjenca dhe maturia e saj, që i japin hijen e një fëmije të mençur. Tek Najla është rijetësuar emri i gjyshes së saj libaneze Najla Maria Jeha. Një kujtim i shenjtë për babi Xhorxhin, i angazhuar prej 30 vitesh në Shqipëri në fushën e sipërmarrjes.

Nxënëse në klasën e katërt në shkollën amerikane, dita e parë  për Najlën ishte 31 Gusht. Një rikthim krejt tjetër. Me maskë në shkollë, pa përqafime, pa oksigjen të mjaftueshëm, me një distancë hutuese edhe për ne të rriturit. Por kjo, nuk e ka zbehur aspak entuziazmin e saj për të vijuar mësimin me shokët dhe shoqet e klasës. Edhe pse pas një dite të gjatë në shkollë, Najla nuk ka humbur energjinë dhe buzëqeshjen e saj të ëngjëllt, kur na tregon për pasionet dhe kohën e lirë.

Në pasionet e saj, ka një lidhje të fortë mes matematikës dhe artit. Në te dyja fushat Najla përkushtohet me të njëjtin ekzaltim. Ndoshta një pasqyrë e prindërve të saj. Babi me një cikël të gjerë studimesh në matematikë dhe mami Ilda me studime në letërsi e dhunti shkrimtareje.

“Aktrimi dhe kërcimi më japin adrenalinë, gëzim. Pak para karantinës fitova rolin kryesor, personazhin Dorothy të filmit për fëmijë “The Wizard of Oz”, për t’u vënë në skenën e shkollës. Por, karantina e ndërpreu këtë plan” – thotë Najla.

Vitin e kaluar, në prag Krishtlindjesh, Najla me një bashkëmoshatar të saj hapën Koncertin e Bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, të organizuar nga Teatri i Operas dhe Baletit për viktimat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Najla e kujton me emocion të veϛantë këtë eksperiencë në skenën e madhe me një publik të jashtëzakonshëm, që e duartrokiti fort kur ajo foli.

Për shkak të pamundësisë për aktivitete, Najla gjatë muajve në vazhdim do të merret me not. Ajo ka zbuluar e zhvilluar edhe pasione të tjera ndërkohë, mes të cilave është kalërimi. Vetëm pas disa seancave, ajo kalëron si një profesioniste e vërtetë.

Mbyllja dhe vera, me gjithë dhimbjen që na solli për shkak të Covid, ishte një periudhë e mirë për të lexuar. Najla ka lexuar të gjithë klasikët e përshtatur për fëmijë. Ndërsa po kërkon vëllimin 13 të “Ditarit të Gregut”.

Najla ka një pasion e dashuri të veçantë për kafshët. Ajo ka patur disa qenusha e mace (tani ka vetëm një mace persiane, Kukin) dhe na tregon me adrenalinë fëminore se si e përfytyron një fermë të vogël plot me kafshë në shtëpinë e fshatit në Farkë.

Najla, sheh më të mirën dhe të bukurën e çdo gjëje. Në shkollën ku është, Najla vlerëson një fakt shumë të rëndësishëm për nxënësit. Metoda e mësimit është praktike dhe bëhet in “funny way” – thotë ajo. Përjashtuar gjuhën shqipe, të gjitha mësimet zhvillohen në anglisht.