Artikulli u publikua në Revistën Kallz
Shumë çifte përjetojnë situata të ngjashme herë pas here- ti si nënë synon ta disiplinosh fëmijën në një mënyrë të caktuar, ndërkohë që bashkëshorti ka një qasje krejt tjetër. Secili i qëndron idesë së vet dhe shumë shpejt, problemi nuk është më mes teje dhe fëmijës sa mes teje dhe bashkëshortit. Në këtë pikë, nuk po prindëroni më në çift
Shumica e çifteve nuk arrijnë të gjejnë një rrugë të mesme dhe kalojnë në debat lidhur me disiplinimim e fëmijës. Ju dhe partneri juaj jeni dy individë të ndryshëm dhe si të tillë, jo gjithmonë do ndani mendime të njëjta. Mosmarrëveshjet janë një pikë e padiskutueshme e marrëdhënieve të çift, sidomos kur flitet pwr rritjen e fëmijëve.
Për shembull, ju i qëndroni mendimit se fëmija duhet të dënohet në momentin që vjen në shtëpi pas orarit që i keni caktuar, ndërkohë që për bashkëshortin tuaj, kjo çështje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Mbase nuk arrini të gjeni një kompromis në lidhje me qasjen që do tregoni për një notë të keqe, apo me një fëmijë në moshë madhore që vijon të jetojë në shtëpi me ju. Me reagimet e ndryshme në çift, nuk arrini të jeni në të njëjtwn anw për sa u përket pasojave.
E vërteta është se, fëmijët e kuptojnë kur prindërit nuk janë në një mendje rreth disiplinimit të tyre. Në kwtw moment ju i krijoni fëmijës gjendje ankthi dhe stresi duke qenë se fëmija vetë është i pasigurtë në lidhje me rregullin, atë çfarë ka rëndësi dhe çfarë jo. Ky ankth kontribuon në problematika të mëtejshme në sjelljen e fëmijës.
Ose, (dhe kjo ndodh shpesh), fëmija mëson si të dalë pa u lagur nga situata duke e sjellë njërin prind kundër tjetrit. Fëmijët janë shumë të shkathtë për të kuptuar që në momentin që pindërit debatojnë me njëri-tjetrin, vëmendja largohet nga ata.
Diçka tjetër që fëmijët arrijnë të përdorin shumë shpesh është edhe aleanca me njërin prind, e kështu situata kthehet në një luftë me dy kundër një, ku skuadra prind-fëmijë zakonisht fiton.
Kjo nuk është një pozitë ku do doje ta gjeje veten me bashkëshortin apo fëmijën tënd. E pikërisht për këtë arsye, fronti i bashkuar mes bashkëshortësh ka më shumë rëndësi sesa pikëpamjet individuale kur vjen puna tek menaxhimi i sjelljes të fëmijës.
Kjo lloj harmonie është e vështirë, por e arritshme. Ndjekja e udhëzimeve më poshtë ju ndihmon të siguroheni që mosmarrëveshjet mes prindërve nuk shkatërrojnë frontin e unifikuar që i nevojitet fëmijës tuaj për të qenë i përgjegjshëm dhe të sillet siç duhet.
Lexo: Për kthimin në shkollë le të angazhohemi të gjithë!
Prindërit të mbështesin njëri-tjetrin
Bëjeni rregull që në momentin që njëri prind disiplinon fëmijën, ju si prindi tjetër duhet ta mbështesni, pavarësisht mendimit që keni. Ju dhe bashkëshorti juaj duhet ta paraqisni veten si një skuadër të bashkuar kundrejt fëmijës tuaj, në të kundërt autoriteti juaj si prindër do jetë i lëkundur. Pikëpamjet e kundërta mund t’i ballafaqoni në një moment të dytë, larg syve të fëmijës dhe të vendosni mbi alternativat e ndryshme që mund të ndiqen mbi përballimin e problematikës.
Nëse nuk jeni të bashkuar në sytë e fëmijës suaj, ai do të mësojë t’i bëjë bisht çfarëdolloj vendimi prindërues duke ju vënë kundër njëri-tjetrit. Nëse jo, duke ju vënë kundër drejtpërdrejt, duke kërkuar ndihmë nga njëri prind ndërkohë që tjetri përpiqet ta disiplinojë.
Mbani parasysh që sa herë që debatoni me bashkëshortin rreth prindërimit, vëmendja largohet nga ku duhet faktikisht të jetë- sjellja e fëmijës. Ndaj, para fëmijës, vëmendjen jepjani vetëm atij. Mosmarrëveshjet zgjidhen më mirë më vete.
Shënim: Në rastin që ndiheni sikur bashkëshorti është duke dëmtuar fizikisht apo emocionalisht fëmijën, thojini që nuk mund ta përballoni këtë dhe ndiqni hapat e nevojshëm për sigurinë e fëmijës tuaj.
Përpiquni t’i lëshoni rrugë partnerit që e vlerëson më shumë një vendim të caktuar
Nëse ju dhe partneri juaj e gjeni veten në një situatë ku kompromisi dukshëm nuk mund të arrihet, përpiquni t’i lëshoni rrugë atij që e ndjen më të rëndësishme një masë disiplinore të caktuar.
Le të marrim një skenar. Ju jeni në rregull me faktin që vajza juaj 12 vjeçare kërkon të kalojë natën në shtëpinë e një shoqeje të afërt. Sidoqoftë, partneri juaj ndihet sikur nuk ju intereson mendimi i tij. Bashkëshorti juaj mund të mos ndihet rehat me idenë e një lirie të tillë ndaj fëmijës në këtë moshë. Mund të mos i besojë familjes së shoqës, e kështu me rradhë. Ama, nëse i qëndroni vendimit tuaj me besim të plotë, mund të thoni:
“Ky vendim ka shumë rëndësi për mua. Do të doja të më mbështesje edhe pse e shoh që në këtë moment nuk ndajmë të njëjtën pikëpamje”.
Apo:
“A mund të të kërkoj të pranosh vendimin tim këtë herë edhe nëse nuk je i bindur? Nuk mund të them se ky është vendimi më i mirë i mundshëm, por instikti im kështu më thotë. A mund të më mbështesësh në lidhje me këtë?”
Në rastin që është bashkëshorti juaj që i qëndron më bindshëm pozicionit të tij, përpiquni të përshtateni ju me pikëpamjen e tij.
Kini parasysh faktin që synimi këtu nuk është që gjërat të shkojnë gjithmonë ashtu siç doni ju. Qëllimi është prindërimi efektiv dhe ruajtja e një marrëdhënieje të shëndetshme me bashkëshortin.
Tregohuni empatik me fëmijën tuaj, por mos e lini partnerin jashtë loje
Nëse shikoni që partneri juaj e vlerëson një vendim të caktuar më shumë se ju dhe vendosni t’i hapni rrugë, mund t’i thoni fëmijës tuaj këto fjalë:
“E di që nuk ndihesh mirë kur nuk të lejojmë të kalosh natën nga shtëpia e shoqës tënde dhe shoh që je gati për këtë lloj pavarësie”.
Në këtë mënyrë, je duke u treguar empatik për ndjenjat e fëmijës e njëkohësisht ruan edhe frontin e bashkuar prindëror. Në momentin që tregoni empati, edhe fëmija ndihet i kuptuar dhe jo i vetmuar. Pavarësisht të gjithave, fëmija duhet të ndjekë vendimin që ju si çift keni marrë së bashku.
Por, mos e lini bashkëshortin jashtë loje. Me fjalë të tjera, mos lini hapësirë për të diskredituar bashkëshortin tuaj në çfarëdolloj mënyre dhe lereni fëmijën të besojë që ky është një vendim i përbashkët, pavarësisht asaj që diskutoni me partnerin privatisht.
Kur prindërit debatojnë, fëmija ia hedh pa u lagur
Mendoni një skenar të tillë:
Në momentin që duhet të ulet për të bërë detyrat e shtëpisë, djali juaj ia plas një “e urrej matematikën” dhe ia nis të ankohet për mësuesen.
Bashkëshorti e qorton dhe i thotë që duhet të mësojë më shumë për të marrë nota më të mira.
Menjëherë, fëmija drejtohet nga ty për ndihmë, dhe e zënë në grackë, ti hidhesh dhe i del në mbrojtje djalit, “Lëre rehat djalin/vajzën—shumë mirë është”.
Bashkëshorti ju kthehet me: “Po të ishte mirë siç thua ti, do kishte nota të mira.”
Kështu fillon të marrë jetë zënka. Ti i përgjigjesh me, “Jo po ti je shumë i rreptë—prandaj është kështu djali. Se i zë frymën ti”.
E ndërkohë që ju të dy përfshiheni në zënkë, djali është zhytur me kokë në celular dhe nuk i bën detyrat që duhet të bënte.
Në skenarin e mësipërm, prindërit përqëndrohen tek njëri-tjetri në vend që të fokusohen tek fëmija. Dhe në momentin që diçka e tillë ndodh, fëmija nuk përballet me pasojat e veprimeve të tij, e kështu sjellja e papranueshme vijon të ndodhë.
Dhe jo vetëm kaq, zënka mes prindërve nuk bën tjetër veçse rrit nivelin e ankthit dhe stresit në shtëpi, gjë që rezulton në mbylljen e fëmijës në vetvete apo në të kundërt të sillet keq.
Si përfundim, sjellja e fëmijës nuk do ketë ndryshim nëse ju kapeni me bashkëshortin në vend që të vini fëmijën para përgjegjësisë.
Duhet të kuptoni që fëmijët mësojnë shumë shpejt se si të vënë njërin prind kundër tjetrit, dhe shumë fëmijë e manipulojnë situatën në favor të tyre. E dinë shumë mire, që përsa kohë debatoni me partnerin, fëmija vetë do ia hedhë pa u lagur.
Diskutojini vendimet rreth prindërimit kur të jeni të qetë
Flisni rreth vendimeve mbi prindërimin kur të jeni të qetë dhe të mund të dëgjoni pikëpamjen e njëri-tjetrit, pa qenë tepër kritikues apo sulmues.
Qetësia ju jep mundësinë t’i diskutoni gjërat më lehtësisht dhe me respekt. Dhe respekti ju ndihmon të gjeni të përbashkëta, pasi ju ndihmon të kuptoni njëri-tjetrin.
Nëse jeni duke folur me bashkëshortin apo bashkeshorten tuaj dhe ju duket sikur biseda po bëhet gjithmonë e më e ashpër, bëni një pushim të vogël. Bëni një shëtitje në këmbë apo me makinë. Kur të ktheheni më vonë, gjeni momentin për të vijuar bisedën. Mund t’i thoni bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj:
“Le të flasim secili për këtë për pak minuta. Unë thjesht do të dëgjoj dhe nuk do të flas. Nuk do të të ndërpres. Thjesht më lër të kuptoj pse kjo gjë është kaq e rëndësishme për ty sepse ti zakonisht nuk u kushton kaq shumë rëndësi këtyre gjërave”.
Mos harro se ashpërsia nuk do të thotë vetëm zënka dhe ngritje zëri. Ashpërsia mund të përfshijë sarkazëm, komente shpërfillëse, ulje, kërcënime të lehta dhe forma të tjera komunikimi dëmtues. Mos e lini bisedën të shkojë në këtë pike. Jini të kujdesshëm kur kjo ndodh dhe jepini vetes kohë për t’u qetësuar.
Kuptoni historinë familjare të bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj
Ndoshta për ju është e vështirë të kuptoni pikëpamjen e bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj sepse është shumë e ndryshme nga pikëpamja juaj dhe kështu kaloni në kritika ndaj mënyrës së tyre të të menduarit.
Ju këshillojmë të filloni të njihni historinë familjare të bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj dhe rrënjët e mentalitetit të tyre. Mund t’ju ndihmojë t’i shikoni gjërat më objektivisht dhe më pak personale dhe kështu do të mund të përgjigjeni me më pak gjykim. Me anë të këtij procesi, gjithashtu do të kuptoni më mirë edhe historinë tuaj dhe sistemin tuaj të besimit.
Mundohuni të ndihmoni njëri-tjetrin për të parë që problemet e sigurisë dhe normat kulturore ndryshojnë me kohën. Ajo që mund të ketë qenë efektive kur bashkëshorti apo bashkëshortja juaj ka qenë fëmijë, tani mund të mos ketë më kuptim. Ose ajo që ishte efektive në familjen tuaj kur ishit të vegjël mund të jetë e ndryshme nga nevojat që familja juaj ka tani.
Mos harro, kjo është familja juaj, jo familja e prindërve tuaj. Jeni ju dhe bashkëshorti apo bashkëshortja juaj ata që vendosin rregullat në familjen tuaj.
Dëgjojeni njëri-tjetrin
Çiftet nevojitet të flasin pse një çështje e caktuar është aq e rëndësishme apo jo. Nëse mund të dëgjoni tjetrin për disa minuta pa reaguar, atëherë po i jepni vetes një mundësi për të kuptuar njëri-tjetrin. Thjesht dëgjoni. Mos ndërprisni. Mundohuni të kuptoni pikëpamjen e bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj dhe shpesh do të gjeni të përbashkëta që as nuk e kishit kuptuar që ekzistonin. Mund të thoni:
“Çfarë mund të bëjmë për të gjetur një rrugë të mesme?”
Ose:
“Të dëgjova. Tani e kuptoj pse kjo është kaq e rëndësishme për ty. Nuk ndaj të njëjtin mendim me ty, por e mbështes vendimin tënd.”
Gjëja më e rëndësishme është se të dy do ta dini se ju kanë dëgjuar. Dhe siç e përmenda më parë, nëse e bëni këtë edhe kur jeni të qetë, do të jetë shumë më e lehtë të dëgjoni në mënyrë konstruktive.
Kur duhet të kërkoni ndihmë profesionale
Nëse shikoni se keni provuar çdo metodë të mundshme dhe vijoni të mos gjeni një mënyrë për të qenë në të njëjtin drejtim me partnerin tuaj, mund të keni nevojë të kërkoni ndihmë profesionale që mund ta gjeni lehtësisht tek terapisti.
Një terapist i mirë do t’ju ndihmojë të gjeni mënyrën e duhur për të arritur komunikim produktiv në çift. Terapisti i mirë do t’ju mësojë se si të evitoni zënkat e panevojshme që ju lindin mbi çfarëdolloj problematike prindërimi. Kjo ju ndihmon të jeni në harmoni në qasjen që do keni ndaj fëmijës.
Të gjithë kemi zakone dhe vese negative kur vjen puna tek komunikimi i shëndetshëm dhe nuk arrijmë ta vemë re pa praninë e një pale të tretë, si në rastin e terapistit, që na e vë në dukje.
Treguesit e komunikimit negativ mund të përfshijnë:
• Interpretimin negativ të komenteve
• Vlerësimi i situatave me nota shumë më negative nga ç’janë
• Shmangien ose tërheqjen nga biseda
• Zhvlerësimin ose mosrespektimin e pikëpamjes së bashkëshortit
Këta tregues specifikë të komunikimit degradojnë në zanafillën e një ‘armiqësie’ të mundshme. E kështu, një bashkëbisedim normal apo mosmarrëveshje e vogël kthehet në një zënkë, jo si pasojë e mosmarrëveshjes, por e mënyrës të komunikimit.
Lajmi i mirë është që në momentin që çiftet bëhen të vetëdijshme në lidhje me këto vese, mund të përmirësojnë dukshëm komunikimin e tyre dhe në këtë mënyrë ‘armiqësia’ e lartpërmendur bie. Në qetësinë që vjen pas, ata mund të gjejnë gjuhën e përbashkët ose, së paku, të gjejnë një kompromis miqësor.
Besojeni apo jo, diferencat e pavetëdijshme mes bashkëshortësh shpesh kthehen në burim fuqie. Janë pikërisht këto ndryshime që na ndihmojnë të zgjerojmë horizontin dhe të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë. Por, duhet të kuptoni që ndryshimet janë burim force vetëm në momentin që arrijmë të komunikojmë efektivisht, të tejkalojmë mosmarrëveshjet dhe të jemi të aftë të falim njëri-tjetrin.
Në fund të fundit, të gjithë ndryshojmë në mënyrën si komunikojmë dhe perceptojmë gjërat—dhe kjo është normale. Siç edhe themi, dy duart t’i krahasosh nuk janë kurrë njëlloj. Ndaj, edhe në çift nuk mund të presim të gjejmë përputhshmëri të plotë në çdo moment.
Rëndësi ka arritja e pikës së mirëkuptimit, në mënyrë që fëmija të mos e gjejë veten mes dy zjarresh.
Përktheu: Jerina Radovani
www.empowringparents.com