Antologjia e ëndrrave zbulon një tipar të pazakontë të europianëve: edhe në nënndërgjegje, aventurat përfundojnë me antiklimaks
Nëntitull:
Shkrimtari gjerman Wolfram Lotz analizoi mijëra ëndrra të publikuara në forume online në mbi 25 gjuhë europiane dhe zbuloi një model të përbashkët: historitë më të çuditshme shpesh mbyllen në mënyrën më të zakonshme.
Edhe kur nënndërgjegjja krijon skenarë fantastikë, ëndrrat e shumë europianëve përfundojnë në mënyrë krejt të zakonshme. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur shkrimtari dhe dramaturgu gjerman Wolfram Lotz, autor i librit “Dreams in Europe” (Ëndrrat në Europë), i ndërtuar mbi mijëra rrëfime ëndrrash të mbledhura nga forume online në të gjithë kontinentin.
Për pesë vjet me radhë, Lotz lexoi mijëra përshkrime ëndrrash të publikuara nga përdorues në më shumë se 25 gjuhë europiane, nga anglishtja deri te romanishtja zvicerane. Ai i përktheu në gjermanisht dhe i përpunoi në tregime të shkurtra, duke vënë re një ngjashmëri të habitshme në mënyrën se si zhvillohen.
Sipas tij, shumë prej ëndrrave nisin si aventura dramatike ose misterioze, por përfundojnë papritur në situata krejt të zakonshme.
Aventurat që shuhen papritur
Një nga ëndrrat rrëfen historinë e një gruaje që ndiqet nga dy burra kërcënues, të cilët ajo beson se duan ta djegin të gjallë. Pasi futet në një shtëpi për t’u fshehur, ndjekësit e saj e gjejnë. Megjithatë, në vend që ta sulmojnë, të tre ulen në tavolinë, shohin lajmet në televizor dhe hanë lajthi. Më pas gruaja ngrihet dhe largohet, ndërsa ëndrra mbaron.
Në një tjetër rast, një grua 34-vjeçare ëndërron se zbulon se dikur ka qenë Adolf Hitleri. E tronditur, mendon se si mund të shlyejë fajet e saj duke ndihmuar të moshuarit ose duke dhuruar para për njerëzit në nevojë. Por pak çaste më vonë kujtohet se ka harruar një intervistë pune dhe shqetësimi për orarin e punës zëvendëson krizën ekzistenciale.
Po aq e pazakontë është edhe ëndrra e një kopshtari amator, i cili përballet me një krijesë të madhe me brirë që i thotë: “Tani do të të tregoj çfarë do të thotë të jetosh pa Zot.” Megjithatë, krijesa zhduket menjëherë dhe ëndërrimtari vazhdon të merret me kopshtarinë, pa ndodhur asgjë tjetër.
Një pasqyrë e mënyrës së jetesës në Europë
Sipas Lotz, këto funde të zakonshme mund të lidhen me mënyrën se si funksionon jeta në shoqëritë europiane.
“Nëse sëmuremi, shkojmë te mjeku dhe zakonisht shërohemi. Nëse na vjedhin diçka, nuk nisim një ndjekje dramatike, por kontaktojmë siguracionin. Edhe ëndrrat duket se pasqyrojnë këtë mënyrë të të jetuarit”, shprehet ai.
Autori vëren gjithashtu se shumë prej këtyre ëndrrave mbartin një ndjenjë të lehtë melankolie.
“Nuk ka shumë hapësirë për transcendencën. Zoti duket se mungon dhe e tashmja paraqitet si diçka e heshtur, pa një vizion të qartë për të ardhmen,” thotë ai.
Politika shfaqet rrallë në ëndrra
Megjithëse libri përfshin edhe ëndrra ku shfaqen figura të njohura politike, Lotz thotë se ngjarjet e mëdha botërore nuk ndikojnë aq shumë sa mund të pritej në nënndërgjegjen e njerëzve.
Në një ëndërr, ish-kryeministri britanik Boris Johnson fton ëndërrimtarin për çaj dhe tortë me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. Në një tjetër, një person ftohet në Pallatin Élysée për t’i dhënë presidentit francez Emmanuel Macron këshilla se si të zgjidhë ndarjet sociale në Francë, por biseda përfundon duke u përqendruar te flokët dhe stërvitja e qenve.
Sipas autorit, ngjarje si Brexit, pandemia e COVID-19 apo zgjedhja e Donald Trump nuk shfaqen shpesh në ëndrrat e mbledhura. Përjashtim bën lufta në Ukrainë, e cila është e pranishme në shumë ëndrra të publikuara në forume në gjuhën ukrainase dhe ruse.
Amerika në imagjinatën europiane
Një tjetër element interesant është se shumë ëndrra të europianëve nuk zhvillohen fare në Europë, por në Shtetet e Bashkuara.
Në to shfaqen skenarë si sulme bërthamore, takime me personazhe të Hollywood-it, njohje me vajza amerikane në Facebook apo misione të pazakonta, si blerja e pikave për sy për këngëtaren Tina Turner.
Një nga ëndrrat më simbolike përshkruan një person që shikon një atlas dhe shpërthen në lot pasi zbulon se shtetet amerikane janë “ndarë” fizikisht nga njëra-tjetra në hartë.
Për Lotz, kjo ëndërr mund të pasqyrojë ndryshimin e marrëdhënies emocionale që shumë europianë kanë me Shtetet e Bashkuara.
“Kur lexoj një ëndërr të tillë, mendoj se ajo ndoshta na tregon diçka për mënyrën se si po ndryshon raporti i Europës me Amerikën. Ëndrrat nuk janë thjesht fantazi. Ato mund të na tregojnë diçka për botën në të cilën jetojmë,” përfundon ai./The Guardian