Në fillim të vitit, shumë prej nesh vendosëm objektiva, krijuam panele vizionesh dhe imagjinuam një version më të mirë të vetes sonë. Janari u ndje si një fillim i ri plot mundësi. Por, tani që kemi mbërritur në mesin e vitit, është momenti për një reflektim. Nëse dikush nuk është ende aty ku kishte shpresuar, nuk është vetëm. Shpesh, ritmi i jetës e ul vrullin fillestar dhe objektivat duken më të largëta.

Sipas Dr. Harry Cohen, psikolog dhe autor i librit Be The Sun, Not The Salt, për të rifituar motivimin, nevojitet një ndalesë e vetëdijshme për t’u rikthyer te gjërat që kanë vërtet rëndësi pa gjykim apo ndjenjë faji. Rinisja kërkon dhembshuri ndaj vetes dhe qartësi në qëllime.

Ky udhërrëfyes i mesvitit përfshin reflektimin, riformulimin e dështimeve, rikthimin te motivimi i brendshëm dhe ndërtimin e zakoneve që na çojnë drejt rezultateve të dëshiruara.

Reflektim mbi rrugëtimin dhe arritjet

Reflektimi është i shëndetshëm. Ai na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe të përgatitemi për hapa më të qëllimshëm. Pyetje si:

  • Çfarë kam arritur këtë vit?
  • Çfarë sfidash kam kapërcyer?

Këto pyetje na ndihmojnë të vlerësojmë rrugëtimin dhe arritjet më të vogla kanë rëndësi. Shkrimi i përditshëm i tri gjërave për të cilat jemi mirënjohës, si dhe ndonjë gjesti pozitiv që kemi bërë për të tjerët, është një mënyrë e mirë për të qëndruar të lidhur me progresin.

Riformulimi i pengesave

Dështimet dhe ndalesat janë pjesë e rrugës. Psikologjia pozitive na mëson që t’i shohim këto momente jo si shenja dobësie, por si mundësi për rritje. Strategjia e rishikimit njohës (cognitive reappraisal) na ndihmon të interpretojmë përvojat negative ndryshe.

Shembull: Dikush ngec në trafik rrugës për një takim të rëndësishëm. Mendimi i parë mund të jetë: “Do dukem i/e papërgjegjshme.” Por riformulimi mund të jetë: “Nuk mund ta kontrolloj trafikun, por mund ta përdor këtë kohë për t’u përgatitur më mirë. Ata me siguri do ta kuptojnë.”

Ta pyesim veten “Pse”

Motivimi është i lidhur ngushtë me kuptimin. Teoria expectancy-value shpjegon se ndjekim objektiva që na duken të vlefshëm dhe të arritshëm. Nëse dikush e ndjen se po humbet motivimin, mund të rifokusojë qëllimet duke pyetur:

  • Cili është qëllimi i vërtetë pas këtij objektivi?
  • A përputhet me vlerat e mia?
  • Si do të ndihem kur ta arrij?

Rikthimi te qëllimi i brendshëm mund të ndezë sërish dëshirën për veprim. Një libër frymëzues si Atomic Habits nga James Clear, ku ai thotë: “Nuk ngrihesh në nivelin e qëllimeve të tua, por biesh në nivelin e sistemeve të tua”, mund të ndihmojë në këtë proces.

Rifillimi me zakone të vogla dhe të thjeshta

Ndonjëherë nuk është vetë qëllimi që duhet ndryshuar, por mënyra si i qasemi atij. Ndryshimet e vogla në përditshmëri kanë ndikim të madh në energjinë dhe mendësinë tonë. Ndarja e objektivit në hapa të vegjël ndihmon në ndjesinë e përparimit dhe rrit motivimin. Shembull: nëse qëllimi është të shkruash një libër, nis me 100 fjalë në ditë; nëse dëshiron të stërvitesh 30 minuta në ditë, fillo me 5 minuta.

Siç thotë James Clear: “Nëse nuk është e thjeshtë, nuk është e qëndrueshme.”

Ndërto një rreth mbështetës

Nuk është kurrë vonë për të rifituar vrullin. Një rrjet mbështetës me podkaste, miq që ndajnë objektiva të ngjashëm dhe mjete për ndjekjen e zakoneve është thelbësor. Shumë objektiva njëherësh shpërqendrojnë. Ndërsa ndjekja e progresit përmes një ditari apo aplikacioni e rrit përkushtimin. Ndaj, shpesh mjafton një mesazh për një mik që t’i tregosh çfarë ke arritur këtë javë.

Planifiko edhe gëzime

Gëzimi nuk është shpërqendrim, është karburant për motivimin. Rutinat e përditshme duhet të përfshijnë akti vitete që sjellin kënaqësi: një shëtitje në natyrë, një telefonatë me dikë të dashur, një vakt i preferuar. Për gjysmën e dytë të vitit, planifiko edhe kohë për qejf!

Përmbyllje

Shprehja “Krishtlindje në Korrik” është e njohur, por Dr. Harry Cohen na fton ta shohim si një Vit të Ri të dytë. Një mundësi për të rikujtuar vlerat tona, për të rimarrë qëllimet dhe për të forcuar mirëqenien emocionale. Me një qasje më të butë ndaj vetes, riformulim të pengesave dhe ndërtim të zakoneve të thjeshta, të gjithë mund të ecim përpara me më shumë qartësi, energji dhe vetëbesim.

Psychologytoday