Nga Ellie Muir

Një organizatë jofitimprurëse në partneritet me UNESCO-n ka nisur një program të ri për zhvillimin e aftësive jetësore për të rinjtë e moshës 16-25 vjeç, duke synuar t’u japë atyre mjetet që u mungojnë për t’u përballur me jetën reale dhe tregun e punës. Programi përfshin tema si menaxhimi i kohës, zhvillimi i empatisë, përballja me paragjykimet, edukimi financiar dhe identifikimi i dezinformatave – për shembull, si të dallosh një video të rreme (deepfake), si ajo e Morgan Freeman që më shfaqet në ekran dhe që duket reale, por në fakt është krijuar me inteligjencë artificiale.

Ky kurs, që po pilotohet në Manchester dhe do të shtrihet në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, synon të arrijë rreth 10,000 të rinj deri në shtator. Ai do të ofrohet në shkolla të mesme, qendra për të rinjtë që janë në ndjekje të dënimeve, institucione profesionale dhe vende punësimi për të diplomuarit.

Edhe pse nuk jam pjesë direkte e programit, i përkas brezit që ai synon. Dhe e shoh qartë nevojën. Ka shumë zëra që e përshkruajnë brezin tim, Gen Z, si dembelë, të varur nga telefoni dhe emocionalisht të paqëndrueshëm. Por a është kjo e vërteta, apo thjesht një tjetër moralizim i zakonshëm që u bëhet të rinjve?

Profesoresha Sandeep Ranote, psikiatre e njohur që ka ndihmuar në krijimin e programit, shpjegon se Gen Z është rritur në një kohë shumë të vështirë, të formuar nga pesë faktorë të mëdhenj që ajo i quan “5 C-të”: Covid-19, ndryshimet klimatike, kriza e kostos së jetesës, hapësira dixhitale dhe konfliktet globale.

Sipas saj, këto sfida kanë ndikuar në zhvillimin social të të rinjve, të cilët shpesh kanë vështirësi në komunikim të drejtpërdrejtë, menaxhim emocionesh dhe ndërveprim në ambientet e punës. Prandaj, ky program nuk synon të “riparojë” të rinjtë, por t’u japë atyre një bazë që nuk ka ekzistuar më parë në sistemin arsimor.

Në intervistat me pjesëmarrës të programit, shumë prej tyre ndajnë të njëjtat shqetësime: mungesë përgatitjeje për tregun e punës, mungesë njohurish për menaxhimin e parave, dhe vështirësi në komunikim pas pandemisë. Një vajzë thotë se kursi e ka ndihmuar të përballojë ankthin pas izolimit, ndërsa një tjetër përmend se është ndihmuar për të kuptuar më mirë rreziqet e informacionit të rremë online.

Për disa, ky trajnim është ndoshta i thjeshtë, por për të tjerë është ndihmë e madhe në një botë që ndryshon me ritme të shpejta. Dhe ndonëse ndonjë situatë që përshkruhet mund të duket si “logjikë e shëndoshë”, nuk duhet harruar se jo të gjithë kanë pasur mundësi t’i mësojnë këto gjëra – qoftë në shkollë apo në shtëpi.

Një raport i vitit 2024 nga fondacioni Resolution në Britani zbuloi se të rinjtë në të 20-at janë më të prirë të jenë jashtë tregut të punës për shkak të problemeve me shëndetin mendor, e jo sepse janë “dembelë” siç i etiketojnë shpesh mediat.

Ka nga ata që mendojnë se brezi i ri është thjesht më i brishtë. Por në të vërtetë, ai ka lindur dhe është rritur në një botë që po lëviz shumë shpejt. Nëse nuk merremi seriozisht me këtë kontekst, rrezikojmë të mos i kuptojmë kurrë realisht.

Becca Hutson nga platforma mediatike The News Movement thotë: “Gen Z nuk është nga një planet tjetër, por janë të keqkuptuar. Ata kanë trashëguar një situatë shumë të vështirë dhe po përpiqen të orientohen – ashtu siç kemi bërë të gjithë.”

Ranote shton se brezi i ri ka edhe shumë fuqi pozitive. Janë më të vetëdijshëm politikisht, kanë guxim të sfidojnë të mëdhenjtë dhe janë shumë më të aftë në orientimin në botën dixhitale. “Kanë një zë të fortë, dhe kjo është për t’u vlerësuar,” thotë ajo.

Në fund të ditës, ndoshta nuk është Gen Z që ka nevojë për “rregullim”, por bota rreth tyre që duhet të bëjë një hap përpara për t’i kuptuar më mirë dhe për t’i mbështetur me mjetet që u munguan.

independent