Risjellja me aktorë të vërtetë e filmit të Disney-t “Borëbardha”, me protagonistë Rachel Zegler dhe Gal Gadot shfaqet në kinemat botërore. Filmi është pjesë e një serie të gjatë ribërjesh të filmave klasikë në versione të modernizuara “live-action” – megjithëse ende të mbështetura në efekte speciale.

Ky trend nuk është i ri; ribërja e “101 Dalmatë” u publikua që në vitin 1996. Megjithatë, që nga publikimi i “Hirushes” në 2015, numri i filmave të tillë është rritur ndjeshëm. Dhjetë filma u publikuan në dhjetë vitet e fundit, pesë prej tyre vetëm në vitin 2019.

Në përgjithësi, kritikët preferojnë filmat origjinalë më shumë se versionet e tyre live-action, sipas vlerësimeve të Rotten Tomatoes. Megjithatë, ka një përjashtim të dukshëm: ribërja e “Librin e Xhunglës” në vitin 2016. Ky film, i drejtuar nga Jon Favreau, përmban aktorë të famshëm si Scarlett Johansson, Christopher Walken dhe Lupita Nyong’o. Versioni i ri është më i errët në ton, duke humbur disa nga ngjyrat e ndezura dhe muzikën e gëzueshme të origjinalit, por gjithsesi ndjek linjën e tij narrative.

Çfarë mendojnë shikuesit?

Shpesh ka një diferencë midis asaj që kritikët vlerësojnë dhe asaj që publiku pëlqen. Por, në rastin e ribërjeve live-action, duket se të dyja palët bien dakord: shumica e tyre nuk arrijnë të tejkalojnë filmat origjinalë.

Nga 13 ribërje, vetëm 3 u vlerësuan më lart nga publiku sesa filmat e tyre origjinalë: Aladini, Libri i Xhunglës dhe Sirena e Vogël.
Në fillim, ribërja e “Sirenës së Vogël” u përball me kritika, kryesisht për shkak të zgjedhjes së Halle Bailey, një aktore me ngjyrë, për rolin e Arielit – e cila në versionin e animuar shfaqet me lëkurë të bardhë dhe flokë të kuqe. Pavarësisht reagimeve fillestare të përziera, publiku e vlerësoi filmin rreth gjashtë pikë më lart se origjinali.

A ja vlejnë ribërjet?

Buxheti për ribërjen e “Borëbardhës” është mbi 200 milionë dollarë, që do të thotë se filmi duhet të fitojë më shumë se dyfishin për të qenë i suksesshëm në arkë. Duke parë historikun e vlerësimeve nga kritikët dhe publiku, kjo mund të duket si një sfidë. Megjithatë, pavarësisht se ribërjet nuk janë gjithmonë të dashura nga publiku, ato zakonisht arrijnë të sjellin fitime të mëdha.

Versioni live-action i “Mbreti Luan” fitoi mbi 2 miliardë dollarë në mbarë botën gjatë shfaqjes së tij, ndërsa filmi origjinal i animuar fitoi rreth 1.6 miliardë dollarë, duke llogaritur inflacionin. Edhe pse audienca dhe kritikët vazhdojnë të preferojnë origjinalet, sukseset financiare të ribërjeve tregojnë se ky trend do të vazhdojë. Në vijim priten ribërjet e Lilo & Stitch këtë maj dhe Moana vitin e ardhshëm.

Reuters