Kur fëmija fillon shkollën, të gjithë prindërit duan që ai të jetë i shkëlqyer në mësime, në sjellje, në gjithçka. Askush nuk mendon, madje as mësuesit, që fëmija sapo ka nisur një etapë të re. Shkolla është ajo periudhë e jetës kur njeriu mëson si të mendojë, si të flasë, si të njohë emocionet e tij dhe si t’i menaxhojë ato.
Që të realizohen të gjitha këto procese, duhet shumë punë – si nga vetë fëmija, ashtu edhe nga mësuesit dhe prindërit. Fëmija përpiqet dhe dëshiron të jetë i zoti, i ditur, por gjithçka i duket e vështirë. Të rriturit që janë pranë tij – prindërit dhe mësuesit – i tregojnë vazhdimisht gjërat që bën gabim. Fëmija këtë e di shumë mirë. Ai pret që të rriturit t’i tregojnë atë që ka bërë mirë, por kjo ndodh shumë rrallë.
Ka prindër që i ndëshkojnë fëmijët për rezultate që nuk përputhen me pritshmëritë e tyre. Ka prindër që i fyejnë fëmijët pse nuk janë të zotë. Nuk ju shkon në mendje se, pa dashje, po zhvillojnë te fëmija turpin dhe neverinë për veten, duke çuar dalëngadalë në mosbesim tek aftësitë e tij. Kjo sjellje e të rriturve shkatërron besimin në vetvete dhe guximin për të folur me fjalët e veta për atë që mëson.
Kjo sjellje vjen nga frika e brendshme dhe e pavetëdijshme e të rriturve ndaj dështimit dhe ndjesisë së të qenit i paaftë. Për fat të keq, nuk u shkon ndërmend se “dështimi” gjatë fëmijërisë është shumë i shëndetshëm, nëse të rriturit dinë të asistojnë fëmijën. Ata duhet t’i tregojnë atij se, në këtë moshë, mësohet pikërisht kjo gjë: si të mos dështosh në jetë.
Vështirësitë në të mësuar, ndjesia se nuk di t’i bëjë gjërat mirë apo përtesa, tregojnë se mendja e tij po punon. Pikërisht atëherë kur duhet, truri përgatitet që fëmija të bëhet i aftë dhe i zoti. Truri dhe mendja e njeriut, ndryshe nga organet e tjera, janë të vetmet që kanë nevojë për vështirësi për të funksionuar. Ato aktivizohen pas çdo informacioni të ri dhe kanë nevojë për kohë që të japin rezultat.
Prindër, tregojini fëmijës me shembuj që ai ta ketë më të lehtë të kuptojë se çfarë po ndodh me të. Mund të përdorni një shembull si: “Njeriu nuk e përfundon pjatën me ushqim përnjëherë, por lugë pas luge.” I njëjti fenomen ndodh edhe me të mësuarin. Fëmija, truri dhe mendja e tij kanë nevojë për kohën e duhur.
Të mësuarit është një proces që zhvillohet hap pas hapi, ditë pas dite. Që ky proces të jetë i frytshëm, është thelbësor bashkëpunimi mes prindit dhe mësuesit. Nëse ata shmangin ankthin e tyre se mos fëmija nuk ja del, gjithçka do të zhvillohet për të mirën – në mënyrën më të bukur që as vetë prindërit apo mësuesit nuk do ta besojnë.