Familja është njëkohësisht parajsë dhe ferr. Ajo është vendi ku mësojmë të duam, por gjithashtu edhe ku mund të keqpërdoremi dhe të lëndohemi. Në familje ne mësojmë të njohim tjetrin dhe rëndësinë e tij për t’u bërë vetja.

Familja është vendi ku kuptojmë se, pa pranuar tjetrin, nuk mund të duam as veten dhe as të shijojmë lumturinë. Ne jemi qenie sociale, vijmë nga tjetri dhe gjithçka e mësojmë nga të tjerët. Që nga fjalët e para, emri ynë, e deri te vetja, ne e zbulojmë dhe e njohim përmes të tjerëve. Dhe tjetri i parë gjendet në familje.

Tjetri i parë është nëna dhe babai, më pas vëllai apo motra, por edhe gjyshërit dhe kushërinjtë. Madje, edhe ai djali apo vajza që të merr lodrën në kopsht dhe prindërit të thonë se është shoku yt. Fillimisht, mësojmë të përballemi me vëllain apo motrën që na marrin gjërat e na bezdisin, pastaj edhe me të tjerët jashtë familjes.

Fillesat e njohjes dhe zhvillimi ynë si individë ndodhin në familje. Aty mësojmë të emërtojmë gjithçka, nga vetja e deri te sendet që na rrethojnë. Nëse një fëmijë rritet me dashuri, durim dhe respekt, jeta do t’i duket e bukur. Nëse përballet me sharje, gënjeshtra dhe mallkime, jeta do t’i ngjallë frikë.

Prindër, kujdes! Përpiquni t’u transmetoni fëmijëve dashurinë tuaj, në mënyrë që kur të rriten, të bëhen njerëz të sigurt e të paqtë me veten, e jo paranojakë.

Fëmija ka shumë nevojë për prindin, por shpesh nuk arrin të flasë me të. Ai ose ajo nuk ka kurajë të komunikojë hapur, sepse ka frikë ose ndrojtje, pasi prindërit janë vazhdimisht të pakënaqur, të zënë me punët e tyre ose nuk kanë kohë për të dëgjuar. Edhe kur flasin, sytë i kanë tek ekranet – te telefonat, tabletët apo televizori.

Këto mënyra komunikimi nuk ndërtojnë marrëdhënie, por vetëm mure heshtjeje që krijohen pa u kuptuar, duke i bërë prindërit dhe fëmijët më të largët se kurrë. Kur fëmija ndihet i vetëm, mëson të veprojë fshehurazi.

Është e vërtetë që edukimi dhe rritja e një fëmije nuk është një punë e lehtë, pasi kërkon vëmendje dhe përqendrim. Të jesh i rritur dhe prind kërkon vetëdije, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, mendim para se të veprosh.

Lira Gjika