Në ditët e sotme, prindërit kalojnë shumë kohë në punë dhe më pak kohë me fëmijët e tyre. Ata shpesh e justifikojnë këtë duke thënë se përpiqen për mirëqenien e fëmijëve dhe për kushte më të mira jetese. Natyrisht, edhe mirëqenia materiale është e rëndësishme, por për një fëmijë, çfarë ka më shumë vlerë: një lodër apo një send i ri, apo prezenca dhe bisedat me prindërit?

Në radhë të parë, marrëdhënia e prindërve me fëmijët është ajo që ka rëndësi – prezenca e tyre, mënyra se si i pranojnë fëmijët, sa i vlerësojnë dhe mahniten me ta. Sa arrijnë të dallojnë arritjet e tyre? Sa afër qëndrojnë me ta kur fëmija ndihet i dështuar apo i paaftë? Këto momente ndodhin më shpesh nga sa mendojnë prindërit.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prindërit të gjejnë fjalë inkurajuese ose, kur është e nevojshme, të heshtin me vetëdije derisa të gjejnë kohën dhe fjalët e duhura. Një rritje e shëndetshme nuk matet me sende, sado të shtrenjta të jenë. Fëmija ka nevojë për praninë reale të prindërve – për fytyrën e tyre, për mimikën e tyre kur flasin, për besimin që shprehin tek ai, dhe për krenarinë që ndiejnë për të.

Fëmijëria është një periudhë rritjeje që kërkon vëmendje, jo për të dalluar gabimet apo dështimet, pasi ato janë të natyrshme në këtë fazë, por për të ofruar mbështetje. Fëmija duhet të ndihet i sigurt se nuk është vetëm, dhe se çdo gabim është një mundësi për të mësuar si ta bëjë më mirë herën tjetër. Ky inkurajim, kjo mbështetje dhe besim, janë thelbi i prindërimit.

Prindërit që kërkojnë një fëmijë të përkryer sipas standardeve të tyre, pa e pranuar atë si një individ më vete, shpesh e ngatërrojnë dhe e konfuzojnë më shumë sesa e ndihmojnë. Fëmija ka nevojë për prindërit e tij ashtu siç janë – të pranishëm, të dashur dhe të pranueshëm ndaj tij si person unik. Ai nuk ka nevojë të krahasohet apo të zëvendësohet me dikë tjetër, por të pranohet dhe të vlerësohet për atë që është.

Cili është roli i të rriturve në parandalimin e bullizmit dhe edukimin e respektit te fëmijët?

Disa fëmijë janë të ndrojtur ose ndihen inferiorë ndaj shokëve të tyre dhe shpesh bëhen pre e fyerjeve, talljeve, madje edhe dhunës fizike. Fëmijët, në përgjithësi, e perceptojnë këtë trajtim si një lojë, por të rriturit pranë tyre – prindër apo mësues – duhet të jenë të vëmendshëm dhe ta ndalojnë këtë “lojë që sjell vetëm dëm”.

Me durim, ata duhet t’u flasin fëmijëve për dallimin mes të mirës dhe të keqes dhe t’u shpjegojnë pse kjo sjellje është e gabuar. Të rriturit duhet të ndërhyjnë duke u thënë fëmijëve: “Askush nuk ju detyron ta doni shokun apo shoqen tuaj, por jeni të detyruar ta respektoni dhe të mos e fyeni atë. Këto veprime nuk duhet dhe nuk mund t’i bëni, sepse dëmtoni jo vetëm tjetrin, por edhe veten tuaj. Me këtë sjellje, pa e kuptuar, po ushqeni dhe po përhapni të keqen. Po sikur të ishit ju në vendin e shokut apo shoqes suaj, si do të ndiheshit?”

Ka raste kur fëmijët thonë: “Mua nuk mund të ma bëjnë këtë”, por i rrituri duhet t’u shpjegojë me qetësi se askush nuk është aq “i fortë” sa të mendojë për të bërë keq. Sepse kur tallemi me dikë tjetër, në fakt, po veprojmë me të keqen. Për më tepër, sjellje të tilla tregojnë frikë dhe paaftësi për të njohur dhe për të vlerësuar të mirën.

Të rriturit nuk duhet të qëndrojnë indiferentë përballë këtyre situatave. Ata kanë për detyrë të mos jenë pasivë ndaj të keqes dhe të ndërhyjnë për të ndihmuar në edukimin e fëmijëve me ndjenjën e respektit dhe mirëkuptimit.

Lira Gjika