Kur jeni të zemëruar, më mirë të shmangni dialogun me fëmijët, pasi gjendja e tij e brendshme nuk e lejon të jetë i qetë për të dialoguar dhe aq më tepër për të qenë edukues.
Kur njeriu është i nervozuar dhe i zemëruar, në përgjithësi, nuk arrin ta kontrollojë atë që bën dhe kjo për arsye se gjendja e tij psikoemocionale i ka dalë nga kontrolli dhe e drejton atë. Prindër, në momentet e zemërimit ju harroni të mendoni se çfarë po i bëni fëmijës tuaj, që e doni aq shumë.
Sjelljet si e bërtitura, fyerjet dhe deri te goditja, janë veprime që njeriu i kryen kur humbet kontrollin e vetes dhe jo sepse fëmija ka bërë diçka gabim. Çdo veprim që mund të bëjë fëmija nuk mund të jetë aq i keq sa të meritojë dhunën. Është paaftësia e të rriturit për të menaxhuar veten që e bën atë të humbasë kontrollin. Besoj, çdo prind për fëmijën e tij kërkon të bëjë më të mirën, që fëmija të bëhet një njeri i mirë e i zoti. Por kur prindi sillet sipas gjendjes së tij emocionale, ushqen të kundërtën te fëmija i tij. Padashur i ngulit në mendje vetëm mosbesimin dhe dyshimin si për veten dhe për jetën.
Zëri njeriut ka veti të veçantë: realizon prezencën e tjetrit, të personit të dashur, duke dhënë siguri. Gjithshtu zëri krijon atë vibrim shpirtëror që ul ankthin ose e shton atë. Për fat të keq, fuqia e tepërt e zërit për të qetësuar nuk duhet të përdoret. Duke filluar nga nëna dhe babai dhe me radhë, të gjithë i biem shkurt; vetëm bërtasim. Nuk kemi durim të qetësohemi e pastaj të flasim qetë dhe me zë të ulët. Duke folur qetë, gjëja e parë që ndodh është autoqetësimi dhe më pas, do të arrijmë të qetësojmë edhe fëmijën.
E bërtitura, “komanda e verbër”, siç e quajnë specialistët, na është bërë mënyrë e sjelljes dhe mënyrë komunikimi me fëmijët. Aq sa nuk arrijmë ta dallojmë nëse po flasim apo jemi duke bërtitur me zë të ashpër. Kudo flitet me zë të lartë: në shtëpi, në shkollë, në rrugë, deri edhe në punë. Të gjithë flasim në mënyrë urdhërore dhe natyrisht duke bërtitur. Por kur dëgjojmë fëmijët që bërtasin, ne bëhemi nervoz dhe nuk i durojmë dot. E ndëshkojmë fëmijën, e quajmë të paedukatë apo fëmijë të keq dhe harrojmë se modeli jemi ne vetë, të rriturit.
Ka ardhur koha ta ulim zërin dhe të mos i trëmbim më fëmijët, por me qetësi t’i ndihmojmë të realizohen ashtu siç dëshirojmë të bëhen, të urtë e të mënçur.

Lira Gjika