Të gjithë ne shpresojmë dhe duam që jeta e përditshme të ndihet sa më mirë.
Pavarësisht gjërave që ne nuk mund të ndërhyjmë për t’i ndryshuar, jeta ka të tjera që kemi kontrroll të plotë.
Si të ndiheni më mirë:
- Jeta ndihet ndryshe kur mendojmë ndryshe
- Kur gjërat e vogla sfidojnë humbjet e mëdha
- Jeto më lehtë duke pranuar atë që ndjen
1. Jeta ndihet ndryshe kur mendojmë ndryshe

Një vajzë në të 30-tat që kishte një jetë të suksesshme profesionale, por ndjente vazhdimisht se nuk ishte mjaftueshëm e mirë. Ajo kishte mendime të përsëritura negative që i krijonin ndjenja pasigurie dhe lodhjeje emocionale. Gjatë terapisë, e ndihmova të kuptonte se këto mendime ishin rezultat i skemave të vjetra nga fëmijëria, ku i ishte ngulitur ideja se duhej të përpiqej gjithmonë për t’u pranuar nga të tjerët. Duke identifikuar këto mendime dhe duke i sfiduar ato, ajo filloi të krijonte një mënyrë të re të të menduarit më të shëndetshme dhe më të mirëkuptuar për veten.
Ky rast ilustron në mënyrë të shkëlqyer se si mendimet tona ndikojnë në ndjesitë dhe përvojat që kemi tek jeta e përditshme.
Pra, shpesh, realiteti që shohim është rezultat i kokës sonë.
Kur fillojmë të mendojmë ndryshe, duke u fokusuar në vetë-pranimin dhe duke sfiduar mendimet e dëmshme, jeta merr një ndjesi krejtësisht të re.
2. Kur gjërat e vogla sfidojnë humbjet e mëdha

Më kujtohet një zotëri në terapi që përjetonte një pikëllim të thellë dhe të heshtur për humbjen e një njeriu të dashur, të cilën nuk e kishte ndarë me askënd përveç meje. Kjo humbje kishte lënë gjurmë të thella në jetën e tij dhe përkundër kalimit të viteve, ai ende ndjente të njëjtën boshllëk. Ai kishte zhvilluar një profil emocional të shtypur. Ndjenjat e humbjes ishin përhapur në të gjithë jetën e tij, nga marrëdhëniet personale deri te puna. Duke e mbuluar atë me një qetësi të trishtuar dhe një zemërim të fshehur kundrejt vetes për mosgëzimin e asgjëje. Kjo humbje nuk ishte vetëm një ngjarje izoluese; ajo kishte përforcuar një tendencë që egzistonte në personalitetin e tij.
Terapia u përqendrua në ndihmën që të kuptonte dhe të përpunonte ndjenjat e humbjes. Por gjithashtu të mësonte të gjente përmbushje në gjërat e vogla që jeta ofron çdo ditë.
Duke sfiduar mekanizmat e tij të përballimit dhe duke e ndihmuar të shkarkonte humbjen por edhe të zhvendoste fokusin nga dhimbja e humbjes te gëzimi i të tashmes.
Gjatë terapive, një gjë që i propozova ishte të mbante një “ditar të gjërave të vogla”.
Çdo ditë të shkruante një gjë të vogël që e kishte bërë të ndihej mirë ose të kishte sjellë qoftë edhe një buzëqeshje të lehtë.
Fillimisht, e kundërshtoi këtë ushtrim. Por me kalimin e kohës, filloi të vëzhgonte më me kujdes mjedisin e tij. Kapte momente të vogla, si pirja e kafesë në ballon, shëtitja 1 orë në pushimin e drekës apo loja me djalin e tij.
Me kalimin e javëve, filloi të ndiente një ndryshim të madh. Vëmendja ndaj gjërave të vogla e ndihmoi të rigjejë një ndjenjë të re të përmbushjes dhe kuptimit.
Ky rast tregon se gjërat e vogla kanë fuqinë për të na rikthyer ndjenjën e kuptimit në jetë. Duke na bërë të kuptojmë se shpesh janë ato detajet e përditshme që formojnë themelet e përvojave tona më të thella emocionale.
3. Jeto më lehtë duke pranuar atë që ndjen

Kemi dhe raste në terapi ku njerëzit vuajnë të qënit pozitiv gjithë kohën.
Një djalë ndjente presion të vazhdueshëm për të qenë gjithmonë pozitiv dhe optimist, pavarësisht situatave të vështira që kalonte. Sa herë që përjetonte ndjenja negative, i shtypte ose i injoronte ato, duke menduar se nuk duhej t'i ndjente. Në fund, ai e gjeti veten të mbingarkuar, pasi nuk kishte vend për të përpunuar emocionet e tij të vërteta.
Gjatë terapisë, diskutuam konceptin e “optimizmit toksik”, një prirje për të injoruar emocionet negative në favor të një qëndrimi të tepruar pozitiv.
I shpjegova se është krejtësisht normale dhe e shëndetshme të ndjejmë ndjenja negative, pasi ato janë pjesë e jetës dhe na ndihmojnë të përballemi me sfidat.
Duke pranuar ndjenjat e tij negative dhe duke i përpunuar ato, ai mësoi se balanca emocionale është shumë më e vlefshme sesa një optimizëm i sforcuar.
Në vend që të luftojë ndjenjat e pakëndshme, ai filloi t’i shikonte si mundësi për reflektim dhe zhvillim personal. Kështu çliroi veten nga presioni i të qenit gjithmonë “i lumtur”.