Në mjedise ku të rriturit dhe fëmijët bashkëjetojnë, shpesh ndodh që prindërit të harrojnë rolin e tyre të rëndësishëm si përfaqësues të fëmijëve. Një situatë e zakonshme është ajo kur një i rritur i drejtohet një fëmije me pyetjen: “Si e ke emrin?”, ndërsa prindi qëndron pasiv ose madje e nxit fëmijën me insistim ta thotë vetë emrin. Kur fëmija heziton, pason komenti i njohur: “Ua, ti nuk e di emrin tënd?”
Pediatrja dhe psikoterapistja Lira Gjika, në librin e saj “Fëmijëria”, thekson se këto momente, sado të vogla të duken, ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin psikologjik të fëmijës. Ajo shkruan se shumë prindër nuk e kuptojnë se prezantimi i fëmijës është detyrë e tyre dhe jo përgjegjësi e vetë fëmijës, i cili ende nuk i ka të ndërtuara strukturat dhe mekanizmat psiko-emocionalë për ta përballuar një situatë të tillë.
“Prindi ose zëvendësuesi i tij (kujdestari, edukatori, mësuesi) duhet të bëjë paraqitjen, të tregojë emrin dhe disa cilësi të fëmijës… Fjalë të cilat e bëjnë fëmijën të ndihet mirë dhe i vlerësuar”, shkruan Lira Gjika.
Prezantimi i fëmijës nuk është thjesht një formalitet. Është një akt përfaqësimi dhe mbrojtjeje, që i komunikon fëmijës se është i rëndësishëm, se ka vlerë dhe se prindërit janë krenarë për të. Kjo ndihmon në ndërtimin e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit – dy mekanizma thelbësorë për zhvillimin e shëndetshëm psikologjik të një individi.
Sipas Gjikës, kur i rrituri detyron fëmijën të prezantohet apo i bën ironi për mungesën e përgjigjes, krijon një ndjesi turpi dhe pavlerësie, që ndikon drejtpërdrejt në formimin e tij emocional.
Çfarë mund të bëjmë ndryshe si prindër?
- Prezantoni fëmijën tuaj me dashuri: “Kjo është vajza ime, Ana, është shumë e zgjuar dhe kurioze.”
- Mos e vendosni në situata të sikletshme para të tjerëve.
- Mbështeteni emocionalisht kur ndodhet në mjedise të reja.
- Kujtoni se ju jeni zëri dhe mbështetja e tij në botën e të rriturve.
Një fëmijë që ndjehet i përfaqësuar dhe i vlerësuar nga prindërit e tij, do të rritet me vetëbesim, dinjitet dhe aftësi për t’u përballur me jetën.