Atashimi zhvillohet gjatë fëmijërisë, ku sjellja e prindërve formon mënyrën se si fëmija i përcepton marrëdhëniet e ngushta.

Shembull: 

Fëmija është i varur nga kujdestarët e tij dhe kërkon ngushëllim, qetësim dhe mbështetje prej tyre. Nëse nevojat fizike dhe emocionale të fëmijës plotësohen, ai ose ajo lidhet mirë. Nga ana tjetër, mosplotësimi nga ana e prindit, ka të ngjarë të çojë në lidhje të pasigurt tek fëmijët e tyre.

Secili nga katër stilet e atashimit ka tiparet dhe karakteristikat e tij tipike. Megjithatë, një person nuk përshtatet domosdoshmërisht 100% në një kategori të vetme. Qëllimi i vetë-analizës është të identifikoni sjelljet jo të shëndetshme dhe të kuptoni se për çfarë mund t’ju duhet të punoni për të përmirësuar marrdhëniet tuaja.

1. Atashimi ankthioz

Atashimi ankthioz

Nëse prindërit kanë qënë jo të qëndrueshëm në plotësimin e nevojave të fëmijës, kur ata rriten zakonisht zhvillojnë atashim ankthioz. Ndonjëherë, prindërit do të jenë mbështetës dhe të përgjegjshëm ndaj nevojave të fëmijës. Në raste të tjera, ata nuk do u kushtojnë aspak vëmendje.

Kjo mospërputhje mund ta bëjë të vështirë për fëmijën të kuptojë pse sjellja e prindërve të tij ndryshon dhe ndihet i hutuar.

Kur rriten, të rriturit me një stil atashimi ankthioz:

  • E shikojnë partnerin si ‘gjysma më e mirë’.
  • Mendimi për të jetuar pa partnerin (ose të qenit vetëm në përgjithësi) shkakton nivele të larta ankthi. 
  • Zakonisht kanë një imazh negativ për veten dhe një pikëpamje pozitive për të tjerët.
  • Vazhdimisht kërkojnë miratim, mbështetje dhe reagim nga partneri i tyre.
  • Janë të shqetësuar se i dashuri i tyre nuk është aq i dhënë në marrëdhënie sa ata.
  • Kanë një frikë të fortë se mos braktisen.
  •  Vëmendja, kujdesi dhe reagimi i partnerit duket se janë “ilaçi” për ankthin e tyre.
  • Mungesa e mbështetjes dhe intimitetit mund të bëjë që tipi ankthioz të bëhet më kërkues, i shqetësuar për marrëdhënien dhe i dëshpëruar për dashuri.

2. Atashimi shmangës

Atashimi shmangës

Prindërit që janë të rreptë dhe emocionalisht të largët, nuk tolerojnë shprehjen e ndjenjave. Ata presin që fëmija i tyre të jetë i pavarur, kështu mund t’i rrisin fëmijët me stil atashimi shmangës.

Këta fëmijë priren të shmangin prindërit dhe kjo shmangie bëhet veçanërisht e theksuar pas një periudhe mungese. Ata mund të mos e refuzojnë vëmendjen e një prindi, por as nuk kërkojnë rehati apo kontakt prej tyre. 

Kur rriten, të rriturit me një stil atashimi shmangës:

  • Priren të kenë vështirësi me intimitetin dhe marrëdhëniet e ngushta.
  • Ndërveprimet sociale dhe lidhjet mbeten në sipërfaqe.
  • Nuk investojnë shumë emocione në marrëdhënie dhe përjetojnë pak shqetësime kur një marrëdhënie përfundon.
  • Shmangin intimitetin duke përdorur justifikime (të tilla si orët e gjata të punës) ose mund të fantazojnë për njerëzit e tjerë gjatë seksit. 
  • Të rriturit me këtë stil lidhjeje besojnë se nuk kanë nevojë për intimitet emocional në jetën e tyre.
  • Kanë të vështirë për të mbështetur partnerët gjatë periudhave stresuese dhe paaftësinë për të ndarë ndjenjat, mendimet dhe emocionet me to.

Ky është një rezultat i drejtpërdrejtë i edukimit të tyre. Prindërit u treguan atyre se nuk mund të mbështetet te njerëzit. Sa herë që ata kërkuan mbështetje emocionale në të kaluarën, ajo nuk u dha. Ata thjesht ndalojnë së kërkuari apo pritur atë nga të tjerët. Është sikur të kenë ‘fikur çelësin’.

3. Atashimi i çorganizuar

Atashimi i çorganizuar

Ajo që e bën të ndryshëm stilin e atashimit të çorganizuar, është se ai përfshin si stilin ankthioz, ashtu edhe atë të shmangies.

Për këtë shumica e specialistëve të atashimit besojnë se stili i lidhjes së çorganizuar është më i vështiri nga tre stilet e lidhjes së pasigurt për t’u trajtuar. Atashimi i çorganizuar besohet të jetë pasojë e traumës ose abuzimit gjatë fëmijërisë. Frika e përceptuar është aspekti qëndror i zhvillimit të saj.

Mbijetesa e fëmijës varet nga kujdestarët. Fëmija e di këtë në mënyrë të pandërgjegjshme, kështu që ai ose ajo kërkon siguri tek kujdestarët. Problemi lind kur burimi i sigurisë bëhet burim frike.

Për shembull, kujdestari abuzon me fëmijën (verbalisht, fizikisht ose seksualisht), ose fëmija e shikon duke abuzuar me dikë tjetër.

Sido që të jetë, fëmija nuk i beson më kujdestarit dhe e kupton se nuk mund të mbështetet te kujdestarët për të përmbushur nevojat e tyre fizike ose emocionale.

Kur rriten, të rriturit me një stil atashimi të çorganizuar:

  • Nuk janë koherent ndaj marrëdhënieve (nga njëra anë ata duan të duan dhe të jenë të dashur, nga ana tjetër, ata kanë frikë të lejojnë dikë të hyjë).
  • Kanë frikë nga intimiteti dhe shmangin afërsinë (njësoj me individët me një stil atashimi shmangës, por ata duan marrdhënie).
  • Këta të rritur e presin që të vijë refuzimi, zhgënjimi dhe lëndimi (sipas përceptimit të tyre, është e pashmangshme).
  • Ata nuk e refuzojnë intimitetin emocional, ata thjesht kanë frikë prej saj.
  • Kjo mendësi mund të kthehet në një formë vetë-sabotimi, duke bërë që i rrituri i çorganizuar t’i japë fund para kohe një marrëdhënieje.
  • Është gjithashtu një profeci vetë-përmbushëse kur një individ me këte stil lidhjeje zgjedh partnerë që shkaktojnë frikë (duke konfirmuar kështu se ata nuk mund t’u besojnë njerëzve të tjerë.
  • Të rriturit e çorganizuar priren të kenë një pikëpamje negative si për veten ashtu edhe për të tjerët.
  • Ata janë në një rrezik më të lartë të zhvillimit të çështjeve të shëndetit mendor, si abuzimi me substancat, sjellja delikuente/agresive dhe abuzimi me fëmijët e tyre.
  • Hulumtimet tregojnë gjithashtu një lidhje midis stilit të lidhjes së çorganizuar tek të rriturit dhe çrregullimit të personalitetit kufitar.

4. Atashimi i sigurt

Atashimi i sigurt

Fëmijët që janë të atashuar mirë, zakonisht mërziten dukshëm kur kujdestarët e tyre largohen dhe janë të lumtur kur kthehen prindërit e tyre. Kur janë të frikësuar, këta fëmijë do të kërkojnë ngushëllim nga prindi ose kujdestari.

Këta fëmijë mund të ngushëllohen deri diku nga njerëzit e tjerë në mungesë të një prindi ose kujdestari, ata qartësisht preferojnë prindërit sesa të huajt. Prindërit e fëmijëve me atashim të sigurt priren të luajnë më shumë me fëmijët e tyre.

Për më tepër, këta prindër reagojnë më shpejt ndaj nevojave të fëmijëve dhe në përgjithësi janë më të përgjegjshëm sesa prindërit e fëmijëve të lidhur në mënyrë të pasigurt. Studimet kanë treguar se fëmijët e lidhur mirë janë më empatikë gjatë fazave të mëvonshme të fëmijërisë.

Këta fëmijë përshkruhen gjithashtu si më pak agresiv dhe më të pjekur se fëmijët me stile lidhjeje ambivalente ose shmangëse.

Kur rriten, të rriturit me një stil atashimi të sigurt:

  • Janë në gjendje të menaxhojnë emocionet dhe ndjenjat në një marrëdhënie.
  • E kanë më të lehtë lidhjen, hapjen dhe besimin ndaj të tjerëve.
  • E dinë se për çfarë qëllimi dëshirojnë të përmbushin.
  • Mund të komunikojnë nevojat e tyre në mënyrë efektive.
  • Kërkojnë në mënyrë aktive mbështetje emocionale nga partneri dhe gjithashtu i japin mbështetje emocionale partnerit. 
  • Ndihen rehat të jenë vetëm dhe e përdorin atë kohë për të eksploruar.
  • Kapacitet i fortë për të reflektuar se si është të jesh në një marrëdhënie.
  • Kanë pikëpamje të përgjithshme pozitive për veten, të tjerët dhe fëmijërinë e tyre.

Sipas psikiatrit dhe psikoanalistit John Bowlby, marrëdhënia e dikujt me prindërit gjatë fëmijërisë ka një ndikim të madh në marrëdhëniet e tyre sociale, intime dhe madje edhe në marrëdhëniet në punë në të ardhmen.

Bazuar në teorinë e tij, u identifikuan katër stile të lidhjes së të rriturve: 

  • Ankthioz;
  • Shmangës;
  • I çorganizuar; 
  • I sigurt;

Nëse përputheni me profilin e atashimit të sigurt, ndoshta duhet të kaloni një moment për të qenë mirënjohës për këtë. Falenderoni prindërit tuaj.  Nëse dyshoni se stili juaj i atashimit nuk është plotësisht i sigurt, mund të pyesni veten nëse mund ta ndryshoni dhe ta bëni të sigurt.

psikologuonline