Në plazh, në fshat, me gjyshërit, në kamp veror, apo mbyllur në muret e shtëpisë. Këto janë disa prej mënyrave se si fëmijët i kalojnë pushimet verore. Nëpër rrugë sheh shumë shpesh fëmijë të shoqëruar nga gjyshërit apo prindërit, ndërkohë që një pjesë jo e vogël fëmijësh i kalojnë pushimet në kampe verore.
Por sa të vlefshëm janë kampet verore për fëmijët dhe çfarë ofrojnë zakonisht të tilla mjedise?
Kampet verore janë një zgjidhje shumë e mirë për fëmijët, jo thjesht përsa i përket argëtimit dhe pushimit, por edhe sepse kontribuojnë për rritje më të shëndetshme në aspektin fizik dhe atë mendor.
Kampet verore janë edhe një mënyrë që fëmijët të dalin jashtë shtëpisë, të luftojnë dembelizmin, por edhe të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese, duke i bërë më të lumtur.
Kampet verore për fëmijë ofrojnë një sërë shërbimesh, si: kërcim, karaoke, pishina, sporte, pikturë, orë leximi, shëtitje në natyrë, shëtitje në fermë apo fabrika etj.
FËMIJËT DHE LEXIMI
Praktimi i gjuhës së huaj zë gjithashtu një vend të veçantë në kampe të ndryshme.
PUSHIME, TEATËR DHE EKSPLORIM
Një alternativë për të kaluar disa javë gjatë stinës së verës është edhe kampi veror për teatrin krijues. I organizuar tashmë prej katër vitesh në ambientet e Teatrit Metropol, i ideuar dhe nën drejtimin regjisores Sonila Kapedani, qëllimi i kampit këtë vit është zhvillimi i njohurive mbi temën e konfliktit. Objektivi i kampit teatror është që të eksplorohen çështje të ndryshme. Gjatë viteve të mëparshme fëmijët kanë eksploruar mbi arkeologjinë, historinë, apo etnografinë.
Por kampi i teatrit nuk është i vetmi kamp i organizuar për fëmijët në “Metropol”.
Grupmosha e fëmijëve, që ndjekin këtë kamp është nga klasa e dytë në klasën e tetë ndërsa përzgjedhja e fëmijëve është bërë nga disa shkolla me të cilat është krijuar bashkëpunim.
KAMPET VERORE NË SHKOLLA?!
Një mundësi tjetër për të kaluar pushimet gjatë sezonit të verës mund të jenë edhe kampet verore të ngritura në shkolla, gjë që ka filluar të zbatohet në disa shkolla private në vend, por jo në ato publike, pavarësisht se kjo praktikë ka qenë e njohur dikur, në Shqipërinë e para viteve ’90-të.
Sezoni i verës shoqërohet me aktivitete dhe kampe verore të shumtë, të cilët ofrojnë kujdesin ndaj fëmijëve kur ata kanë mbaruar shkollën. Megjithatë, prindërit dhe fëmijët janë gjithnjë në kërkim të alternativës më të mirë dhe të përshtatshme për ta. Ndërkohë, ndërsa bëni zgjedhjen se çfarë aktivitetesh do të ndiqni apo cilin kamp veror do të frekuentoni është mirë të keni parasysh edhe disa këshilla. Psikologë dhe ekspertë të zhvillimit të fëmijëve sugjerojnë se mbingarkimi i fëmijëve gjatë verës është i panevojshëm. Duhet pasur parasysh që koha që fëmijët shpenzojnë gjatë këtyre muajve të jetë kreative dhe çlodhëse dhe jo e mbyllur në ekranet e smartphone. Ndërsa, e rëndësishme është që fëmija të orientohet drejt aktiviteteve që do ta çojnë drejt zbulimit, për të gjetur kështu me të vërtetë atë çfarë i intereson dhe që do ta ndihmojë në zhvillim.