Mjetet me inteligjencë artificiale si ChatGPT po ndihmojnë persona me autizëm, ADHD dhe kushte të ngjashme të komunikojnë më lehtë dhe me më shumë vetëbesim megjithëse ekspertët paralajmërojnë se mbështetja e tepruar mund të ketë pasoja.
Për regjisorën nga Cape Town, Kate D’hotman, është shumë më e thjeshtë të komunikojë përmes filmave sesa në biseda të zakonshme me njerëz. “Nuk e kam kuptuar kurrë si i lexojnë të tjerët sinjalet sociale,” thotë ajo.
D’hotman, e cila është 40 vjeç dhe ka autizëm dhe çrregullim të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), e përjeton ndërveprimin me të tjerët si të lodhshëm dhe sfidues. Që prej vitit 2022, ajo përdor rregullisht ChatGPT, një bisedues me inteligjencë artificiale nga OpenIA, për t’i tejkaluar vështirësitë në komunikim, si në punë, ashtu edhe në jetën e përditshme.
“E di që është një makinë,” thotë ajo, “por ndonjëherë, sinqerisht, është zëri më empatik në jetën time.”
Kur IA bëhet mik, përkthyes dhe terapist
Personat neurodivergjentë ata me autizëm, ADHD, disleksi apo kushte të ngjashme e përjetojnë botën ndryshe nga të tjerët. Edhe një bisedë e zakonshme apo një mesazh në telefon mund të keqkuptohet lehtë.
Këtu hyjnë në lojë mjetet me IA. D’hotman e përdor ChatGPT si përkthyes emocional dhe këshilltar. Një herë, kur punëdhënësi i kërkoi mendime për përmirësimin e kompanisë, ajo i dërgoi një listë të drejtpërdrejtë me sugjerime. Por u interpretua si e ftohtë dhe e vrazhdë.
Tani ajo i dërgon më parë mesazhet te ChatGPT, duke i kërkuar të analizojë tonin dhe ndjeshmërinë e fjalëve. Ndonjëherë i thotë të sillet si terapist, për të kuptuar më mirë situata delikate me njerëzit e afërt. Ajo ka dërguar edhe biseda disa mujore me një mikeshë, për të kërkuar ndihmë për të kuptuar ku qëndronte problemi.
“Nuk gjykon kurrë. Është gjithmonë i sjellshëm,” thotë D’hotman.
“Më ndihmon të shpreh më mirë idetë e mia”
Sarah Rickwood, menaxhere projektesh në Angli, gjithashtu me ADHD dhe autizëm, thotë se shpesh e humb veten në ide dhe nuk arrin të shprehet qartë në biseda. Me ndihmën e IA, ajo përgatit më mirë emIAl-e, dokumente dhe plane pune. “Më ndihmon të bëj më shumë me mendjen time,” thotë ajo.
Sipas një sondazhi të Google dhe Ipsos, përdorimi i IA në botë është rritur me 48%. Vetëm OpenIA, kompania që ka krijuar ChatGPT, ka mbi 400 milion përdorues aktivë çdo javë, përfshirë 2 milion përdorues biznesi me pagesë.
Aplikacione të krijuara posaçërisht për neurodivergjentët
Michael Daniel, inxhinier nga Australia, mësoi se ishte autik pasi u diagnostikua vajza e tij dhe më pas edhe IA vetë. Për të ndihmuar veten dhe familjen e tij në komunikim, krijoi Neurotranslator, një aplikacion që analizon dhe përkthen shprehjet në mënyrë që të shmangin keqkuptimet.
IA kujton një rast kur i tha gruas: “Është një këmishë shumë unike”, por ajo e pa si kritikë. Neurotranslator e ndihmoi të kuptonte se duhej të shtonte një vlerësim pozitiv për të mos lënduar ndjenjat. Që nga lançimi në shtator, aplikacioni ka mbi 200 abonentë me pagesë.
Paralajmërime për përdorim të tepruar
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i vazhdueshëm i IA mund të ulë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike. Larissa Suzuki, studiuese dhe inxhiniere kompjuterike, thotë se nëse IA fillon të bëjë gabime siç ndodh tashmë me disa motorë kërkimi njerëzit mund të humbasin besimin tek teknologjia dhe vetja.
Gianluca Mauro, këshilltar për IA, thekson se ChatGPT ka si qëllim t’i pëlqejë përdoruesit, jo t’i japë këshilla të vështira si një terapist i vërtetë. Ndaj, sipas tij, duhen rregulla të qarta për përdorimin e kësaj teknologjie.
Një studim nga Carnegie Mellon dhe Microsoft tregon se përdorimi i zgjatur i IA mund të ndikojë negativisht në përfshirjen mendore, sidomos në detyra të zakonshme ku njerëzit “dorëzohen” dhe ia lënë gjithçka makinës.
Psikologia klinike Melanie Katzman shton: “Terapisti të shtyn të provosh gjëra të reja. IA është më pasive. Nuk të shtyn të përballesh me realitetin.”
“Kam nevojë për këtë”
Pavarësisht rreziqeve, për shumë persona si D’hotman, ChatGPT është bërë pjesë e domosdoshme e jetës.
Pas diagnostikimit me autizëm, ajo kaloi një vit pa dalë nga shtëpia, e mbingarkuar dhe e izoluar. Mendimi për të hequr dorë nga ndihma që merr nga IA është i frikshëm.
“Si dikush që ka luftuar gjithë jetën me një vështirësi të tillë,” thotë ajo, “kam nevojë për këtë.”