Në një shoqëri ku kujdesi për mirëqënien dhe edukimin e fëmijëve është një nga përgjegjësitë më të mëdha të të rriturve, mënyra si u flasim të vegjëlve mbetet thelbësore. Megjithatë, shpesh, nën ngarkesën emocionale të përditshmërisë, fjalët që përdoren ndaj fëmijëve humbasin ndjeshmërinë që duhet të karakterizojë rritjen e tyre.
Një rast konkret që solli në vëmendje rëndësinë e këtij diskutimi ishte ajo që mjekja e njohur pediatre Lira Gjika ndau së fundmi në një postim në rrjetet sociale. Teksa po shkonte drejt kopshtit fëmijëve, ajo dëgjoi një zonjë që i drejtohej një fëmije rreth 5-6 vjeç me shprehjen: “Mos u bëfsh, se na plase shpirtin.” Kjo mënyrë e të folurit dhe e përdorur në numrin shumës, i la të kuptohet se nuk ishte e vetmja që ndiente lodhje apo bezdi ndaj sjelljes së fëmijës.
Lira Gjika thekson se përdorimi i papërgjegjshëm i fjalëve, sidomos në situata të ngarkuara emocionalisht, përbën një problem serioz në edukimin e fëmijëve. Shprehje si “mos u bëfsh” kanë një ngarkesë të fortë negative – jo vetëm që tingëllojnë si mallkim, por ngjallin te fëmijët dyshime të thella për veten: A vlej unë? A më duan? Çfarë kam bërë gabim? Këto dyshime nuk janë kalimtare, ato nguliten në memorien emocionale dhe ndikojnë në ndërtimin e vetëvlerësimit dhe të identitetit personal.
Të “bëhesh”: Procesi njerëzor më jetësor
Fjala “të bëhesh” është më shumë se një folje, ajo përfaqëson një proces thelbësor për zhvillimin njerëzor, një udhëtim drejt ndërtimit të vetes. Filozofët si Aristoteli dhe shumë të tjerë e kanë trajtuar këtë koncept si një nga proceset më të rëndësishme që ndodhin në qenien njerëzore. Është një proces që ndërlidhet me fjalën, mendjen dhe të ardhmen dhe që kërkon kujdes dhe mbështetje për t’u zhvilluar natyrshëm.
Kur i thuhet një fëmije “mos u bëfsh”, mesazhi i nënkuptuar është “të mos jesh”. Edhe pse në shumicën e rasteve prindërit apo të rriturit nuk e mendojnë në këtë formë, ndikimi i fjalës është po aq i rëndë. Ajo shkon përtej lodhjes apo zhgënjimit momental dhe i komunikon fëmijës se ekzistenca e tij është e padëshiruar apo e papranueshme.
Fëmijët nuk vetëedukohen ata mësojnë nga ne
Sipas Lira Gjikës, fëmija është një qenie e vogël, e brishtë dhe e varur nga të rriturit për çdo aspekt të jetës, përfshirë zhvillimin emocional dhe etik. Ai nuk mund të jetojë i vetëm dhe as të vetëedukohet. Modeli kryesor që ndjek janë prindërit, mësuesit, gjyshërit, të gjithë ata që i flasin dhe që sillen përreth tij çdo ditë. Nëse të rriturit nuk reflektojnë mbi gjuhën që përdorin dhe efektin që ajo ka, si mund të presin që fëmijët të rriten të sigurt, të edukuar dhe të ndjeshëm?
Psikologët dhe psikanalistët i quajnë fjalët e rënda që i drejtohen fëmijëve “plumba verbalë”, për shkak të fuqisë dëmtuese që mbartin. Janë të pamëshirshme kur dalin nga goja pa reflektim, dhe lënë gjurmë të thella në ndjeshmërinë e një fëmije që ende nuk e ka formuar një mburojë të brendshme për t’u mbrojtur.
Gjuha është mjeti ynë më i fuqishëm në procesin e edukimit. Është ajo që ndërton ose shkatërron, forcon ose lëndon, motivon ose shtyp. Fëmijët nuk kanë faj që janë të vegjël ata janë në procesin e të bërit dhe ky është një proces që kërkon dashuri, durim dhe fjalë që ndërtojnë, jo që rrënojnë.
Ky artikull është bazuar në një reflektim të Lira Gjikë, mjeke pediatre, publikuar në Facebook.