Bregdeti ka qenë prej kohësh një vend shërimi. Në Evropën e shekullit të 18-të, mjekët rekomandonin qëndrimin në breg të detit për trajtimin e sëmundjeve si tuberkulozi apo lebra. Pacientët kalonin ditën duke u larë në ujë të pasur me minerale (madje edhe duke e pirë atë), dhe natën flinin nën tingujt e erës së kripur dhe dallgëve që përplaseshin në breg.

Edhe pse disa elementë të kësaj “terapie detare” janë hedhur poshtë nga shkenca moderne, një gjë mbetet e qartë: natyrës i bëjmë mirë dhe ajo na bën mirë. Një nga studimet më të hershme që e tregoi këtë ishte realizuar në vitin 1984. Ai tregoi se pacientët pas operacionit, të cilët kishin pamje nga hapësirat natyrore nga dritarja e dhomës së tyre, kishin qëndrime më të shkurtra dhe më të këndshme në spital krahasuar me ata që shikonin një mur tullash.

Gjatë dekadave në vijim, psikologjia mjedisore u përqendrua tek përfitimet e të jetuarit pranë hapësirave të gjelbra – si parqe dhe pyje. Por kohët e fundit, një valë e re studiuesish po i kushton vëmendje hapësirave blu – detit, liqeneve dhe lumenjve.

Më shumë ujë, më pak stres

Mat White, psikolog mjedisor, surfer dhe notar i apasionuar, ishte ndër të parët që nisi të studiojë efektet e hapësirave blu. Në vitin 2010, ai dhe kolegët e tij zbuluan se njerëzit e vlerësonin më tërheqëse dhe më relaksuese një pamje natyrore apo urbane, kur ajo përfshinte edhe ndonjë element ujor.

Ky studim u citua mijëra herë dhe u bë pikënisja e një fushe të tërë kërkimore për hapësirat blu. Por çfarë ndodh realisht me trupin dhe trurin tonë kur kalojmë kohë në plazh?

Psikologët flasin për një efekt të quajtur “rivendosje e vëmendjes” – momenti kur mendja fillon të relaksohet dhe të përqendrohet në mjedisin përreth në një mënyrë më të butë, më pak të lodhshme.

Në një analizë me 4,255 persona në Angli, bregdeti rezultoi më qetësues se pyjet apo peizazhet malore. Sipas Catherine Kelly, autore e librit Blue Spaces: How and Why Water Can Make You Feel Better, kjo ndoshta ndodh për shkak të pamjes së pafund të horizontit dhe tingujve që të përthithin tërësisht.

“Kur jemi në breg të detit, jemi të ftuar në mënyrë të natyrshme të drejtojmë shikimin nga horizonti. Kjo na jep një ndjesi madhështie dhe na bën të ndihemi pjesë e diçkaje më të madhe se vetja,” thotë ajo.

Kjo ndjesi e mahnitjes mund të ulë stresin, të japë ndjenjën e qëllimit dhe të na shtyjë të sillemi më me empati.

Teoria e rivendosjes së vëmendjes

Sipas Teorisë së Rivendosjes së Vëmendjes, e formuluar në vitin 1989, peizazhet që qetësojnë më shumë mendjen janë ato që janë “magjepsëse në mënyrë të butë” – mjaftueshëm tërheqëse sa për të mbajtur vëmendjen, por pa e lodhur atë. Dallgët e detit janë shembull tipik.

Easkey Britton, ekologe sociale detare dhe surfiste, thotë se edhe pse nuk ka ende studime të thelluara mbi ndikimin e dallgëve në stres, pattern-et e përsëritura që ato krijojnë – të ngjashme me fraktalet – ndikojnë në valët e trurit, duke nxitur frekuencat alfa që shoqërohen me relaksim.

“Dallgët kërkojnë prezencë dhe përqendrim. Kjo ndjenjë e prezencës të shkëput nga shqetësimet e përditshme,” thotë Britton.

“Palestra blu”: Lëviz më shumë, ndihesh më mirë

Ndërsa mendja relaksohet në plazh, trupi shpesh nis të lëvizë – një shëtitje, një not apo një lojë me top me miqtë.

Studimet tregojnë se peizazhet bregdetare nxisin aktivitetin fizik, që është shumë i rëndësishëm për shëndetin. Edhe pse në hapësira të gjelbra njerëzit bëjnë ushtrime më intensive, një studim i vitit 2020 tregoi se në plazh ata qëndrojnë aktivë më gjatë – ndoshta sepse koha perceptohet më e ngadaltë dhe më e qetë pranë ujit.

Kombinimi i aktivitetit fizik dhe reduktimit të stresit mund të ndikojë pozitivisht edhe në cilësinë e gjumit. Një analizë e vitit 2024 me 18,838 të rritur në 18 vende zbuloi se vizitat e shpeshta në hapësira të gjelbra ose blu lidhen me rrezik më të ulët për mungesë gjumi (më pak se 6 orë në ditë).

Përballja me dhimbjen

Prej kohësh njerëzit kanë përdorur “terapinë detare” për të përballuar stresin dhe dhimbjen, por ka qenë e vështirë të provohet shkencërisht se vetë peizazhi ka këtë efekt. Eksperimentet më të sakta kërkojnë që subjektet të mos e dinë në cilën grup janë – gjë e pamundur kur dikush po sheh detin.

Megjithatë, realiteti virtual po i ndihmon studiuesit ta kapërcejnë këtë kufizim. Në një studim të vitit 2017, pacientë që merrnin trajtim dentar përdorën syze VR për të simuluar një shëtitje në bregdet. Rezultatet treguan se grupi që “ndodhej në det” kishte ndjeshëm më pak dhimbje krahasuar me grupet që shikonin qytetin ose asgjë.

Në një tjetër studim të vitit 2025, botuar në Nature Communications, 49 persona panë pamje virtuale të një liqeni, një qyteti dhe një ambienti të brendshëm – ndërsa u jepeshin impulse elektrike. Ata që panë pamjen natyrore raportuan më pak dhimbje dhe skaneri i trurit tregoi aktivitet të ndryshëm në zonat e përpunimit të dhimbjes.

Plazhi dhe lidhjet njerëzore

Shumë prej nesh shkojnë në plazh me familjen apo miqtë. Por a ndihmojnë hapësirat blu në forcimin e lidhjeve sociale?

Në një studim të vitit 2013, prindër të fëmijëve të vegjël ndanë përvojat e tyre në bregdet. Tregimet e tyre tregonin se plazhi u kishte dhënë momente të rëndësishme bashkimi si familje. “Është një nga studimet e mia të preferuara,” thotë Sabine Pahl, një nga autoret. “Tregon se si ndryshon gjithçka kur i largon njerëzit nga shtëpia dhe i vendos në një ambient ku kanë hapësirë të bashkëveprojnë.”

Për ata që janë rritur duke ndërtuar kështjella rëre apo duke ndjekur peshqit e vegjël në breg, rikthimi në plazh mund të shkaktojë një ndjenjë nostalgjie dhe rikthimi në lojën e pafajshme të fëmijërisë.

Efektet që mbesin

Një ditë në plazh nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, por studiuesit besojnë se ajo mund të krijojë efekte të vogla e të vazhdueshme në mirëqenie.

Ka studime që po shqyrtojnë nëse vizitat e shpeshta në det gjatë fëmijërisë ndikojnë më vonë në ndjenjën e lidhjes me natyrën – që lidhet më pas me sjellje pro-mjedisore si riciklimi dhe kursimi i energjisë.

Aktualisht, Mat White dhe Sabine Pahl po udhëheqin një projekt katërvjeçar që shqyrton se si hapësirat e gjelbra dhe blu ndihmojnë në përballimin e stresit dhe rritjen e reziliencës përmes përvojave të përsëritura.

Kjo lloj kërkimi është thelbësor për shëndetin publik dhe planifikimin urban. Sa më shumë prova të mblidhen, aq më shumë mund të përdoren për të mbrojtur peizazhet bregdetare kudo në botë.

“Kjo marrëdhënie e ndërsjellë është shumë e rëndësishme,” thotë Catherine Kelly. “Nëse një vend na bën të ndihemi mirë, atëherë është detyra jonë të kujdesemi që edhe ai të ndihet mirë.”

Nationalgeographic