Në një shoqëri ku keqtrajtimi dhe dhuna ndaj fëmijëve shpesh shpërfillet ose justifikohet si “pjesë e rritjes”, pediatrja dhe psikoterapistja Lira Gjika na kujton se heshtja dhe indiferenca përballë dhunës ndaj një fëmije është një plagë që prek më shumë se një viktimë – ajo dëmton edhe vetë fëmijën e personit që hesht. Kur një prind apo një i rritur shikon një fëmijë që keqtrajtohet dhe nuk reagon, ai jep një shembull të keq për fëmijën e vet: i mëson atij se është normale të mos ndihmosh dhe të mos ndjesh.
“Fëmija shikon se babi dhe mami mund të sillen keq me një fëmijë apo të mos e përfillin atë,” – shkruan Gjika. Madje edhe ai i rrituri që nuk ka fëmijë, kur zgjedh të mos reagojë, shpeshherë është duke ripërjetuar traumën e vet nga fëmijëria – indiferencën dhe mungesën e ndjeshmërisë që ka përjetuar dikur.
Sipas saj, shumë të rritur edhe pse dëshirojnë me shpirt të jenë prindër të mirë dhe të dashur, nuk dinë si të sillen ndryshe – sepse janë rritur vetë mes ashpërsisë, indiferencës dhe mungesës së dashurisë. Këto sjellje janë bërë pjesë e karakterit të tyre dhe, si pasojë, nuk arrijnë të ndiejnë tronditje përballë dhunës apo padrejtësisë që i ndodh një fëmije tjetër.
Një nga mënyrat më të zakonshme, por edhe më të dëmshme të komunikimit me fëmijët është përdorimi i fjalës “pusho”. Prindër, mësues dhe të rritur të tjerë e përdorin këtë fjalë për të heshtur fëmijën, shpesh në momente nervozizmi, pa e kuptuar dëmin që shkakton. “Pusho” nuk është një udhëzim i thjeshtë – është një ndalesë e dhunshme për mendimin dhe ndjenjën e fëmijës.
“Kur i rrituri i thotë ‘pusho’ fëmijës, truri i tij ndalon së menduari,” shpjegon Gjika. Ky ndërprerje e menjëhershme mendimi, që në pamje të parë duket si një zgjidhje e shpejtë për “ta vënë në vend” fëmijën, në të vërtetë shkakton një dëm të thellë në ndërtimin e personalitetit dhe në zhvillimin emocional të tij.
Pediatrja shton se në shumë vende të zhvilluara, përdorimi i fjalës “pusho” është i ndaluar me ligj në institucione arsimore dhe edukative. Kjo për shkak të ndikimit të saj shkatërrues në zhvillimin psikologjik të fëmijëve, veçanërisht kur përdoret në mënyrë të përsëritur dhe pa reflektim.
Për këtë arsye, ajo apelon ndaj prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve që të rishikojnë mënyrën se si komunikojnë. Humbja e durimit dhe reagimet impulsive nuk ndihmojnë në edukim. Ato vetëm ndërpresin procesin e ndjeshëm të krijimit të një fëmije të sigurt, të dëgjuar dhe të kuptuar.
Mesazhi i Lira Gjikës është i qartë: për të rritur fëmijë të shëndetshëm emocionalisht, na duhet t’i dëgjojmë ata, të reflektojmë mbi mënyrën si i qasemi ndjenjave dhe sjelljeve të tyre, dhe të guxojmë të ndryshojmë atë që nuk ka funksionuar te ne. Heshtja përpara padrejtësisë dhe urdhrat e thata nuk ndërtojnë njerëz të fortë – ndërtojnë zemra të lënduara.