Loja nuk është thjesht argëtim, ajo është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ndihmuar zhvillimin e fëmijës. A e dini se truri i një fëmije zhvillohet më shumë në tre vitet e para të jetës sesa në çdo periudhë tjetër? Kjo është një periudhë jashtëzakonisht e rëndësishme për rritjen!
Lajmi i mirë është se një nga mënyrat më të mira për të mbështetur këtë zhvillim është edhe e thjeshtë, edhe argëtuese loja. Në pamje të parë, loja mund të duket si një aktivitet vetëm për kënaqësi, por për foshnjat dhe fëmijët e vegjël ajo është shumë më tepër. Përmes lojës, ata mësojnë dhe ndërtojnë aftësi jetësore të rëndësishme, që nga zgjidhja e problemeve deri te shprehja e ideve, si dhe forcojnë lidhjen me prindërit ose kujdestarët e tyre. Sepse prindërit janë gjithashtu mësuesit dhe shokët e parë të lojës për fëmijën.
Në bashkëpunim me Fondacionin LEGO, UNICEF ka eksploruar shkencën që qëndron pas mënyrave se si loja ndihmon në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.
Kur ndërtojnë një kullë, ata po zhvillojnë aftësi fizike
Vendosja e objekteve një mbi një ndihmon fëmijën të kuptojë lëvizjen dhe hapësirën, përmes ushtrimit të aftësive ndijore-motorike dhe zhvillimit të kuptimit hapësinor. Këto janë të rëndësishme për ndërtimin e një trupi të shëndetshëm dhe aktiv. Prindërit mund të angazhohen duke vëzhguar se çfarë ndërton fëmija, duke përdorur tinguj dhe mimikë, apo duke shtuar objekte në ndërtim, e gjithë kjo është një mënyrë e mirë për t’u bashkuar në lojë.
Ata zhvillojnë aftësi njohëse përmes lojës duke kërkuar objektet e fshehura.
Angazhimi në një detyrë sfiduese por argëtuese, si fshehja dhe gjetja e objekteve në shtëpi, ndihmon në përmirësimin e përqendrimit, zgjidhjes së problemeve dhe fleksibilitetit të të menduarit. Këto janë aftësi që i ndihmojnë të përballen me sfida komplekse dhe të ndërtojnë strategji efektive. Nëse fëmija duket i frustruar, është e dobishme t’i jepen sugjerime, por pa ia zgjidhur menjëherë problemin.
Kur bëjnë tinguj qesharakë, ata po ndërtojnë aftësi sociale
Fëmijët e vegjël kanë natyrën të kërkojnë ndërveprim përmes belbëzimeve, shprehjeve të fytyrës dhe gjesteve. Kur prindërit i kushtojnë vëmendje fëmijës, e emërtojnë atë që ai po bën dhe reagojnë me zë, mimikë dhe lëvizje të sinkronizuara, ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve nervore në tru që janë themel për zhvillimin e komunikimit dhe aftësive sociale. Ky lloj shkëmbimi gjithashtu forcon marrëdhënien midis fëmijës dhe prindit.
Kur këndojnë dhe kërcejnë, ata po zhvillojnë aftësi emocionale
Të kuptuarit, menaxhimi dhe shprehja e emocioneve përmes vetëdijes dhe vetëkontrollit, janë thelbësore për zhvillimin emocional të fëmijës dhe mirëqenien e tij në të ardhmen. Kënga dhe kërcimi janë mënyra të shkëlqyera për të shprehur ndjenjat dhe për të çliruar emocionet. Prindërit mund të përfshihen duke kënduar ose kërcyer bashkë me ta.
Kur vizatojnë nga imagjinata, ata po zhvillojnë kreativitetin
Kur një fëmijë ulet për të vizatuar botën e tij imagjinare, ai po shpreh idetë dhe po i jep formë mendimeve në realitet. Pas përfundimit, është e dobishme të kërkohet që ai të shpjegojë çfarë ka krijuar, kjo i ndihmon të mendojnë në mënyrë reflektive dhe t’i japin kuptim botës së tyre.
Lajmi më i mirë? Fëmijët nuk kanë nevojë për lodra të shtrenjta për të mësuar dhe për të luajtur.
Në fakt, shumica e gjërave që duhen për të krijuar një lojë të këndshme dhe të dobishme ndodhen tashmë në shtëpi. Loja e përditshme, me përfshirjen dhe vëmendjen e të rriturve, është një mënyrë e fuqishme për të mbështetur zhvillimin e plotë të fëmijës, emocional, fizik, njohës, social dhe krijues.