Pas izolimit të pandemisë dhe lodhjes që sjell kujdesi për dy fëmijë të vegjël pa ndihmë, Martina Lopes autorja e librit ” Pleas yell at my kids” vendosi të ndryshojë gjithçka. Ajo dhe bashkëshorti i saj u zhvendosën në Singapor për të jetuar pranë miqve të tyre të ngushtë, duke krijuar një formë të re bashkëjetese – me ushqime të përbashkëta, lodra të përbashkëta dhe, po, edhe ndarjen e “qortimeve” për fëmijët.
Kjo eksperiencë e çoi Lopes në një udhëtim për të zbuluar si kultura të ndryshme e përballojnë prindërimin. Nga Mozambiku në Holandë e nga Singapori në Brazil, ajo mësoi se pavarësisht dallimeve kulturore, një gjë është e përbashkët: prindërimi është më i lehtë kur nuk je vetëm.
Çfarë mund të na mësojnë kulturat e ndryshme të botës për prindërimin në komunitet, rritjen e fëmijëve të pavarur dhe ruajtjen e mendjes në këtë proces.
- Mbill një fshat – Mozambik
Në Mozambik, “nënë” nuk është vetëm nëna biologjike – është edhe komshija që kujdeset për fëmijët e lagjes, apo gruaja që ndan ushqimin me ta. Ky model i kujdesit të përbashkët krijon lidhje ndërgjeneratash dhe një ndjenjë bashkësie që mungon në shumë vende perëndimore. Një fshat nuk gjendet – ai ndërtohet, duke hapur derën për të tjerët dhe duke ndihmuar ata përreth. - Zgjero listën e të ftuarve – Brazil
Në Brazil, lindja e një fëmije është një ngjarje kolektive. Prindërit nuk e mbajnë barrën vetëm. Prindërimi duhet të jetë një projekt i komunitetit – me shoqe që të vizitojnë, familjarë që ndihmojnë dhe biseda të hapura me gratë e brezave të mëparshëm për përvojat e tyre. - Bano pranë miqve – Malajzi
Inspiruar nga fisi Iban, që jeton në shtëpi të përbashkëta dhe kujdeset së bashku për fëmijët, Lopes provoi të njëjtën gjë në Singapor. Prindërimi në bashkësi nuk është ideal romantik – është zgjidhje praktike që sjell më pak stres dhe më shumë dashuri për fëmijët. Nuk është e nevojshme të jetosh nën të njëjtin çati, por të jesh afër miqve të besuar bën një ndryshim të madh. - Lëri fëmijët në pyll – Holanda
“Forest dropping” – një traditë ku fëmijët holandezë lihen në pyll me një elektrik dore për të gjetur rrugën. Kjo ndërton vetëbesim dhe pavarësi, edhe pa shkuar deri në pyll, mund të fillosh duke u dhënë fëmijëve më shumë liri: t’i lejosh të shkojnë vetëm në dyqan, të bëjnë punë të shtëpisë ose të ngasin biçikletën përpara teje. - Le të bëhet gjyshja dado – Singapor
Në Singapor, gjyshërit janë pjesë aktive e rritjes së fëmijëve. Ata ndihmojnë në detyrat e shtëpisë, shoqërojnë fëmijët në aktivitete dhe transmetojnë vlera. Edhe kur stili i tyre i prindërimit nuk përputhet plotësisht me tuajin, ndihma e tyre është e vlefshme. Lëre hapësirë për gjyshërit – në mënyrën e tyre.
Nuk ka formulë të vetme për të qenë prind i mirë – por në çdo vend që Lopes kuptoi se prindërimi bëhet më i lehtë kur ndan barrën me të tjerët. Vetmia e prindërve është një problem i përhapur, veçanërisht në kulturat perëndimore si SHBA-të. Ndërtimi i komunitetit përreth fëmijëve tanë nuk i zgjidh të gjitha problemet, por rikthen gëzimin dhe lehtësinë në jetën e përditshme – për prindërit dhe për fëmijët.