Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është bërë baba për herë të nëntë. Gruaja e tij, Carrie, është fotografuar duke mbajtur në krah fëmijën e katërt të çiftit, por thuhet gjerësisht se Johnson ka gjithsej nëntë fëmijë nga marrëdhënie të ndryshme.
Edhe emra të tjerë të njohur si Elon Musk, i cili sipas raportimeve ka 14 fëmijë me katër gra të ndryshme, bëjnë pjesë në këtë kategori burrash që kanë shumë më tepër fëmijë se mesatarja. Kjo çon në pyetjen: a ekziston ndonjë tipar psikologjik që mund të parashikojë prirjen e një burri për të pasur shumë fëmijë?
Çfarë thonë disa psikologë që mbështeten te teoria e evolucionit?
Sipas tyre, ekzistojnë dallime biologjike dhe psikologjike mes burrave dhe grave, të cilat lidhen me mënyrën se si secili përpiqet të përhapë gjenet e veta te brezat e ardhshëm. Trupi i gruas ka kufizime natyrore dhe mund të sjellë në jetë një numër të caktuar fëmijësh gjatë jetës. Ndërsa një burrë, në teori, mund të bëhet baba i qindra fëmijëve.
Për këtë arsye, këta studiues besojnë se disa burra kanë një prirje më të madhe për të pasur marrëdhënie me më shumë partnerë dhe për të pasur më shumë fëmijë. Ndërkohë, gratë zakonisht fokusohen më shumë te përkujdesja për një numër më të vogël fëmijësh, për të cilët janë të sigurta që janë të tyre.
Nga ana tjetër, ka edhe studiues që e kundërshtojnë këtë qasje, duke thënë se ajo e thekson shumë biologjinë dhe nuk merr parasysh ndikimin e kulturës, vlerave dhe mënyrës si është ndërtuar shoqëria.
Rasti i Ismailit të Përgjakshëm
Një shembull historik që është analizuar nga ish-psikologia e Universitetit të Londrës, Dorothy Einon, është ai i Ismailit të Përgjakshëm, perandorit maroken të shekullit të 17-të, për të cilin thuhet se kishte 888 fëmijë.
Ai kishte një harem me rreth 500 konkubina dhe 4 gra. Gruaja më e madhe kishte rol kontrollues dhe sigurohej që gratë e tjera të kalonin kohë me të vetëm kur ishin të fertilizuara.
Por Einon shpreh dyshime të mëdha për këtë numër. Sipas llogaritjeve të saj, për të pasur 888 fëmijë, Ismaili do të duhej të kishte marrëdhënie seksuale me pesë gra të ndryshme çdo ditë, për 40 vjet me radhë.
A janë gjithmonë burrat ata që e vendosin këtë?
Në pamje të parë duket sikur këta burra – si Johnson dhe Musk – kanë zgjedhur të kenë shumë fëmijë. Por një tezë tjetër sugjeron se ndoshta është tërheqja që shkaktojnë te disa gra ajo që i çon drejt këtij rezultati.
Një studim me një titull të gjatë (“Një model motivues i dyfishtë për seksizmin ambivalent dhe preferencat romantike midis gjinive”) propozon se disa gra që nuk ndjekin karrierë apo burime personale, priren të tërhiqen nga burra të edukuar dhe me potencial të lartë ekonomik.
Nga ana tjetër, disa burra që kanë një orientim më të lartë drejt dominimit shoqëror (pra, dëshira për të qenë lart në hierarki dhe për të demonstruar pushtet), kërkojnë gra tërheqëse fizikisht që mund t’i shfaqin si “trofe”.
Këta burra e shohin tërheqjen e grave të bukura si mënyrë për të treguar pushtetin e tyre, në të njëjtën mënyrë që dikush mund të tregojë një makinë luksoze për të treguar suksesin.
Çfarë është orientimi drejt dominimit shoqëror?
Ky orientim është një qëndrim ideologjik, ku individi preferon që disa grupe të jenë lart dhe të tjera më poshtë në shoqëri. Ky qëndrim rritet në periudha me pasiguri ekonomike apo konkurrencë të lartë dhe shfaqet në formën e qëndrimeve armiqësore ndaj grupeve që perceptohen si më të dobët.
Studiuesit vërejnë se Elon Musk dhe Boris Johnson kanë pasur shpesh qëndrime politike më antagoniste ndaj emigrantëve apo vendeve rivale, çka mund të lidhet me këtë dëshirë për të ruajtur statusin dhe dominimin.
Një pasqyrë nga e kaluara gjenetike
Një tjetër studim i titulluar “Trashëgimia gjenetike e Mongolëve” ka treguar se rreth 8% e burrave nga Kina verilindore deri në Uzbekistan ndajnë një vijë të përbashkët gjenetike që besohet se vjen nga Genghis Khan.
Ky përhapje e madhe gjenetike besohet të ketë ndodhur për shkak të sjelljes së tij – pra, duke pasur shumë pasardhës. Studiuesit thonë se është mirë që praktika të tilla si haremët dhe pushtimet me kalë nuk ekzistojnë më, sepse përndryshe, figura si Musk dhe Johnson mund të ndikonin seriozisht në strukturën gjenetike të brezave të ardhshëm.
Ata përfundojnë duke thënë se ndryshime të mëdha në përbërjen gjenetike të njerëzimit mund të ndodhin shumë shpejt, edhe pse fatmirësisht raste të tilla janë të rralla në histori.
Artikulli është bazuar në shkrimin e botuar në Psychology Today nga Raj Persaud, MD, FRCPsych.