Një lumë nordik që rrjedh ngadalë, një peizazh i mbuluar nga dëbora që shkrin, një pyll i qetë me bredha dhe pisha – dhe këtë pranverë, si çdo pranverë në gjashtë vitet e fundit, mijëra njerëz u ngjiten pas ekranit për të parë.

Kur “Den stora älgvandringen” – e përkthyer si “Migrimi i Madh i Drerëve të Veriut” ose “Udhëtimi i Madh i Elkut” – u transmetua për herë të parë në platformën SVT Play të televizionit publik suedez në vitin 2019, afro një milion njerëz u kyçën për ta ndjekur. Vitin e kaluar, shifra arriti në 9 milionë.

Këtë vit, kush e di? Duke marrë parasysh gjendjen aktuale në botë, një transmetim 24-orësh për tri javë me një grup drerësh që kalojnë me kujdes lumin Ångerman në Suedinë veriore për të mbërritur në kullotat e verës mund të jetë pikërisht ajo që njerëzit kanë nevojë për të parë.

Edicioni i fundit i programit nisi një javë më herët për shkak të një pranvere më të ngrohtë se zakonisht. “Ka shumë drerë përreth,” tha producenti Stefan Edlund për SVT. “Na presin. Duhej të përshtateshim. Por do të jetë në rregull.”

Ekipi i programit, i përbërë nga 15 persona dhe i vendosur në një sallë kontrolli në qytetin Umeå, 600 kilometra në veri të Stokholmit, kishte vendosur tashmë mbi 20,000 metra kabllo dhe më shumë se 30 kamera të fshehura, përfshirë edhe ato me vizion nate – të gjitha të gatshme për të kapur çdo lëvizje të drerëve.

Dhe fansat janë më se gati. Ulla Malmgren, 62 vjeç, thotë se është furnizuar me kafe dhe vakte të gatuara paraprakisht që të mos humbasë asnjë moment. “Gjumi? Harroje. Nuk fle fare,” thotë ajo.

Malmgren, pjesëtare e një grupi në Facebook me mbi 76,000 ndjekës, i tha agjencisë Associated Press se e do idenë që rreth një milion njerëz janë duke parë njëkohësisht, “të gjithë duke thënë të njëjtën gjë: ‘Eja tani! Po, ti mundesh!’”

Edhe një tjetër ndjekës i zjarrtë, William Garp Liljefors, 20 vjeç, thotë se i ka ndodhur të vonohet në shkollë për shkak të shfaqjes. “Më relakson, por në të njëjtën kohë jam në ankth: ‘Oh, një drerë! Po sikur të dalë një tjetër? Nuk mund të shkoj në tualet!’”

Kjo shfaqje – dhe suksesi i saj – është pjesë e një tendence gjithnjë në rritje të njohur si “TV i ngadaltë” (Slow TV), një koncept që disa thonë se u parapri nga artisti amerikan Andy Warhol, i cili në vitin 1964 xhiroi filmin “Sleep” me poetin John Giorno duke fjetur për pesë orë e 20 minuta.

Kohët e fundit, ideja u popullarizua nga televizioni norvegjez NRK me programin “Bergensbanen”, një udhëtim shtatë-orësh me tren nga Bergeni në Oslo, i transmetuar minutë pas minute. Rreth 20% e popullsisë norvegjeze e ndoqi atë të paktën një herë.

Dy vite më vonë, rreth gjysma e 5.5 milionë banorëve të Norvegjisë ndoqën pjesërisht një transmetim tjetër live e të pandërprerë: një udhëtim 134-orësh me anije nga Bergeni në Kirkenes.

Që atëherë, NRK ka transmetuar të paktën një program të tillë çdo vit, duke përfshirë 18 orë salmonë që notojnë kundër rrymës, 12 orë zjarr druri që digjet, 24 orë ligjërata mbi kushtetutën dhe një maratonë 12-orëshe me thurje. Ky format është përhapur edhe në Spanjë, Portugali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Australi dhe gjetkë. Në qytetin Utrecht në Holandë, një kamerë nën ujë u mundëson shikuesve të shtypin një “zile virtuale” për të ndihmuar peshqit që po shumohen të kalojnë një portë.

Slow TV tregon ngjarjet në ritmin që ato ndodhin në realitet, pa redaktim dhe pa ngjarje të inskenuara. Ajo që e bën tërheqëse, sipas ekspertëve të medias, është pikërisht mungesa e tensionit dhe dramës.

“Bëhet, në një mënyrë të çuditshme, mbërthyese sepse nuk po ndodh asgjë katastrofike apo spektakolare,” thotë Annette Hill, profesoreshë e komunikimit në Universitetin Jönköping në Suedi. “Por diçka shumë e bukur po ndodh në atë çast, minutë pas minute.”

Espen Ytreberg, profesor i studimeve mediatike në Universitetin e Oslos, e ka krahasuar Slow TV me një dritare ose “valvul shpëtimi” nga ritmi frenetik i televizionit modern. “Kur pranuam që televizioni duhet të jetë gjithë kohës i përshpejtuar, intensiv, agresiv?” pyeste ai në një intervistë për CBS gati një dekadë më parë. “Por në një moment, kjo u bë norma.”

Sigurisht, ndonjëherë, diçka ndodh. SVT dërgon një njoftim sapo të shfaqet dreri i parë në “Udhëtimin e Madh të Elkut” dhe në ekran shfaqet një numërues që tregon sa prej tyre kanë kaluar lumin – një përvojë jo gjithmonë e lehtë, pasi lumi është i gjerë dhe i rrezikshëm.

Vitin e kaluar, kamerat e programit regjistruan 87 drerë që arritën me sukses në anën tjetër. Disa prej tyre patën vështirësi. Por, për pjesën më të madhe të kohës, shikuesit janë duke parë qiellin, ujin dhe pemët. Ndoshta ndonjë rosë. Prisni pak… është ai një drerë?

Theguardian