Fëmijët mësojnë ecjen, të folurin, mimikën, përqendrimin për të kryer një punë si larja e duarve apo dhëmbëve, ushqyerjen vetë, përdorimin e dorës për veprime apo këmbëve për të gjuajtur topin, pikërisht duke vëzhguar me vëmendje të rriturit. Sipas pediatres Lira Gjika, shpesh të rriturit nuk janë të vetëdijshëm për këtë punë të madhe të fëmijës, i cili në mënyrë konstante dhe të pandërprerë është duke “punuar” me vëzhgimin e tyre: si kryejnë veprimet, si sillen dhe si flasin.

Ajo thekson se pikërisht kjo pavetëdije bën që të mos arrijmë t’i mësojmë dhe zhvillojmë me kujdes tek fëmijët sferën emocionale dhe sjelljet e mira. Shpesh, kur janë të nxehur apo të mërzitur, të rriturit përdorin fjalor banal, të shoqëruar me gjeste po ashtu banale. Sipas Lira Gjikës, prindërit dhe të rriturit në përgjithësi harrojnë të përzgjedhin veprimet, fjalorin apo tonin e zërit, sidomos kur ndodhen në situata të vështira emocionale. “Nëse të rriturit i harrojnë fëmijët, atëherë si do t’i mësojë fëmija sjelljet e mira, respektin për veten, vetëkontrollin dhe vetëvlerësimin, kur i rrituri nuk ia demonstron?”, ngre pyetjen ajo.

Gjika shton se një nga çështjet kryesore në edukim është koncepti i së mirës. Ne u kërkojmë fëmijëve “të sillen mirë”, “të mos bëhen të këqij”, të mos gënjejnë – por mënyra se si fitohen këto veti shpesh nuk u mësohet. “Të rriturit pranë fëmijës shpesh sillen pa menduar, nuk i përzgjedhin fjalët dhe veprimet kur janë të nxehur. I dominon nervozizmi dhe padurimi”, shprehet ajo.

Sipas saj, të rriturit flasin për dikë që nuk u pëlqen me fjalën e parë që u vjen në mendje, gënjejnë fëmijën pa e menduar, betohen për kokën e fëmijës vetëm që t’i besojë tjetri ose për të dalë nga situata. Lëshojnë mallkime dhe të bërtitura pa menduar se ku janë dhe me kë ndodhen, vetëm pse u është prishur humori. “Këto mënyra të sjelluri e pengojnë fëmijën të ndërtojë një sistem vlerash që ta orientojë drejt së mirës, duke filluar nga sjellja e deri te mënyra e të pranuarit të vetes, tjetrit dhe jetës”, shton Lira Gjika.