Në Australi po teston një program të ri inteligjence artificiale që mund të kuptojë fjalorin, shkurtesat dhe emojit që përdorin të rinjtë në bisedat online. Qëllimi është të ndihmojë hetuesit të deshifrojnë mesazhet që përdorin abuzuesit në internet për të fshehur qëllimet e tyre.

Sipas autoriteteve, kjo nismë mund të bëhet një hap i madh përpara në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve në epokën dixhitale.

Komisionerja e Policisë Federale Australiane, Krissy Barrett, tha se po punohet me kompaninë Microsoft për të krijuar një prototip që mund të “përkthejë” mënyrën e të folurit të gjeneratave të reja të Gen Z dhe Gen Alpha, në biseda të koduara ose me emoji.
“Ky sistem synon të ndihmojë ekipet tona të shpëtojnë fëmijët më shpejt, përpara se të pësojnë dëme,” tha Barrett.

Kush janë Gen Z dhe Gen Alpha?

  • Gjenerata Z (Gen Z) përfshin ata që kanë lindur nga fundi i viteve 1990 deri në fillim të viteve 2010.
  • Gjenerata Alpha është grupi që ka lindur më pas, fëmijët e lindur pas vitit 2010.

Të dyja këto breza janë të parët që janë rritur plotësisht me teknologji, me rrjete sociale, telefona inteligjentë tani edhe me inteligjencë artificiale. Ata përdorin shpesh emoji, shkurtesa, dhe mënyra komunikimi që të rriturve mund t’u duken të pakuptueshme.

Si po përdoret kjo gjuhë?

Policia thotë se disa persona abuzues e shfrytëzojnë këtë mënyrë komunikimi për të fshehur qëllimet e tyre dhe për të manipuluar të rinjtë online.
“Këta individë janë pjesë e rrjeteve që glorifikojnë dhunën dhe shfrytëzimin. Ata e bëjnë këtë për argëtim ose për të fituar famë në internet,” tha Barrett, duke i quajtur ata “kriminelë influencues” apo “crimefluencers”.

Ajo paralajmëroi prindërit që të flasin më shumë me fëmijët për mënyrën si përdorin internetin, sepse rreziku shpesh fshihet pas një bisede të thjeshtë me emoji apo meme.
“Nëse dikur duhej një fshat për të rritur një fëmijë, sot duhet një vend i tërë për t’i mbajtur të sigurt,” u shpreh Barrett.

Çfarë kanë zbuluar deri tani?

Hetimet kanë identifikuar 59 persona të dyshuar, ku disa janë arrestuar brenda dhe jashtë Australisë.
Tre prej tyre, të moshës 17 deri në 20 vjeç, akuzohen për përfshirje në grupe online që manipulonin viktimat kryesisht vajza të reja për të kryer akte vetëdëmtimi apo dhune.

“Shumica e këtyre autorëve janë djem të rinj nga vende perëndimore, ndërsa viktimat janë zakonisht vajza me probleme vetëvlerësimi ose shëndeti mendor,” tha Barrett.
Në disa raste, autorët duhej të “provonin” veten për t’u pranuar në grupe, duke dërguar pamje të dhunshme ose akte vetëdëmtimi.

Në dhjetor, pritet që në Australi të hyjnë në fuqi rregulla të reja për moshën minimale në rrjetet sociale, që do t’i detyrojnë platformat si Facebook, Instagram dhe TikTok të heqin përdoruesit nën 16 vjeç.

DW