Nga Lira Gjika
Instinkti për të jetuar është aq i fuqishëm tek fëmija, sa e shtyn atë të “kapet” pas jetës dhe të kërkojë që gjithçka përreth të vihet në funksion të tij. Ai e detyron mjedisin të kujdeset për të, të ndalet dhe ta marrë në konsideratë.
Për çudi, kjo forcë – kjo energji e brendshme që ka fëmija për të jetuar – shpesh anashkalohet nga të rriturit. Prindërit dhe specialistët shpesh mendojnë se janë ata më të rëndësishmit në jetën e fëmijës, duke e vendosur veten në qendër dhe duke harruar se fëmija ka një jetë dhe zhvillim të vetin.
Kur mungon vëmendja e të rriturve
Duke mos e pranuar këtë të vërtetë – shpesh në mënyrë të pavetëdijshme – të rriturit e trajtojnë fëmijën si të paaftë. Ata heshtin përballë forcës së tij të brendshme dhe nuk marrin përgjegjësi për mënyrën si sillen ndaj tij. Kjo mungesë vëmendjeje dhe pranimi e bën fëmijën të ndjehet i pavlerësuar, duke penguar zhvillimin e vetëbesimit dhe duke e lënë në një rol pasiv ndaj jetës së vet.
Është e vërtetë që në fillimet e jetës fëmija nuk mund të kryejë shumë procese vetë. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka forcë për t’u rritur. Varësia e tij ndaj të rriturve është fizike – për ekzistencën – por procesi i rritjes është i tij personal. Pavarësisht imponimeve të të rriturve, fëmija ka mënyrën e vet për të zbuluar botën dhe për të njohur veten. Çdo çast që kalon, ai është më i rritur se çasti i mëparshëm.
Fëmija rritet përmes përvojës, jo përmes imponimit
Vetëm me të qarën e tij, pa përmendur efektin e të qeshurës, fëmija detyron të rriturit që – edhe pse të nervozuar – të qetësohen dhe t’i përkushtohen atij. Megjithatë, të rriturit vazhdojnë të besojnë se janë ata që e rrisin fëmijën. Ky është një keqkuptim thelbësor.
Të shohim me sytë e fëmijës
Të rriturit, duke filluar nga nëna, duhet të mësojnë të shohin botën me sytë e fëmijës. Të mos veprojnë vetëm sipas asaj që dinë apo ndjejnë, por të përpiqen të kuptojnë si e përjeton fëmija sjelljen dhe veprimet e tyre. Kjo është mënyra më e shëndetshme për të qenë pranë një fëmije që rritet – jo duke ia imponuar rritjen, por duke e mbështetur që të rritet vetë, me besim dhe dashuri.