“Fëmijëria është mosha kur njeriu, në radhë të parë, mëson dhe zhvillon njerëzoren,” tregon pediatria Lira Gjika.

Sipas saj, kjo është periudha ku fëmija zbulon gjuhën, kuptimin e fjalëve, të mirën dhe të keqen, dhembshurinë dhe gjithçka që lidhet me jetën dhe universin.

Në këtë moshë, fëmija rritet duke zbuluar veten, kufijtë e tij dhe mjedisin ku bën pjesë. “Në këtë ‘udhëtim’ që e quajmë rritje, nëna dhe babai janë modeli dhe pasqyra ku ai mëson dhe sigurohet për atë që ka mësuar,” shpjegon Gjika.

Ajo thekson se çdo fjalë apo veprim i fëmijës shoqërohet nga një vëzhgim i kujdesshëm i reagimeve të prindërve:

  • Si ishte ajo që bëra dhe thashë?
  • Si iu duk mamit dhe babit?
  • A ishte fjala e duhur? Po veprimi?

Kështu, çdo ditë dhe çdo çast, fëmija mëson nga reflektimi që sheh tek prindërit. “Fëmija eksperimenton për të kuptuar deri ku mund të arrijë dhe si mund ta bëjë më mirë, falë këtij modeli dhe pasqyre,” thotë Gjika.

Prindërit: Model, jo ndëshkim

Sipas saj, roli i prindërve apo i kujtdo që i zëvendëson nuk është të ndëshkojnë, por të ndihmojnë dhe të lehtësojnë procesin e të mësuarit. “Lehtësim do të thotë: aprovim, inkurajim, tërheqje vëmendjeje për kujdes, ose nxitje që fëmija ta përsërisë një veprim të mirë,” sqaron pediatria.

Ajo këshillon që zëri i prindërve të jetë sa më i ulët dhe i butë, dhe që ata të marrin pjesë në lojërat e fëmijës. Përfshirja e tij në punët e ndryshme të përditshme, sipas Gjikës, e ndihmon të shmangë ndjenjën e padurimit, bezdisjes dhe mosbesimit tek vetja.

Shembulli që mbetet

“Fëmija e mëson njerëzorën duke parë dhe dëgjuar prindërit,” thekson ajo. Nëse ata flasin ashpër, nuk tolerojnë dhe reagojnë me ndëshkim, kjo sjellje do të bëhet pjesë e tij.

Pediatria Lira Gjika apelon që prindërit dhe të gjithë të rriturit të informohen për veçoritë e fëmijërisë dhe moshat përkatëse. “Kjo do t’i ndihmonte të bënin mirë detyrën e tyre dhe të mos shihnin vetëm gabimet e fëmijës, por arritjet e tij,” përfundon ajo.