Nëna nuk mund ta dojë fëmijën më shumë sesa ai do veten e vet. Madje, detyra parësore e nënës është pikërisht kjo: të insistojë në këtë të vërtetë.

Të gjitha reagimet e fëmijës së porsalindur, tregojnë, se ai ka vetëm një problem: egzistencën e tij.

Pikërisht, ky instink i jetës është aq i fuqishëm tek fëmija, sa e bën atë të “kapet” pas saj dhe të detyrojë të gjithë mjedisin përreth ta marrë në konsideratë dhe t’i shërbejë.

Për çudi, kjo energji, kjo forcë anashkalohet; i rrituri, prindërit dhe specialistët mendojnë, se janë ata më të rëndësishëm në jetën e fëmijës. Duke anashkaluar këtë të vërtetë (në mënyrë të pavetëdijshme), të rriturit e trajtojnë fëmijën si të paaftë. Kjo mungesë vëmendje për të njohur e pranuar fëmijën dhe mungesë përgjegjësie për sjelljen e tij, e detyron fëmijën të mbetet pasiv në jetën e tij, të mos ndërtojë mekanizmat e besimit tek vetja. Është e vërtetë se, ai në fillimet e jetës nuk mund të kryejë shumë procese, por jo sepse nuk ka forcë të rritet. Ai vërtetë është dipendent ndaj të rriturit dhe kjo nuk është gjithçka.

I rrituri siguron egzistencën e tij, por, procesin e rritjes fëmija e realizon vetë. Pavarësisht nga imponimet, fëmija e zbulon botën dhe njeh veten sipas mënyrës së tij.

Ai, çdo çast është më i rritur se më parë. Vetëm me të qarën e tij pa përmendur efektin e të qeshurës, ai i detyron të rriturit, që edhe pse të nervozuar, ta qetësojë veten dhe ti përkushtohet fëmijës. E megjithatë, të rriturit, vazhdojnë të insistojnë se fëmijën e rrisin ata.

Të rriturit, duke filluar nga nëna, duhet të kryejnë veprimet jo ashtu si dinë dhe ndjejnë, por duke u përpjekur të shohin me sytë e fëmijës, si i përfton ai qëndrimin dhe veprimet e tyre, të të rriturve.

Lira Gjika