Një sondazh i ri tregon se mundësit dhe jo dëshira, është ajo që pengon njerëzit të krijojnë familjet që duan. Miliona njerëz në mbarë botën nuk arrijnë të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë për shkak të një përzierjeje toksike pengesash ekonomike dhe seksizmi, paralajmëron një raport i ri i Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportit të vitit 2025 mbi Popullsinë Botërore nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), pengesat nuk lidhen me mungesën e dëshirës për të pasur fëmijë, por me faktorë si: kostoja e lartë e prindërimit, pasiguria në punë, çmimet e larta të banesave, shqetësimet për gjendjen e botës dhe mungesa e një partneri të përshtatshëm.

Ndërkohë që qeveritë e djathta, si ato në SHBA dhe Hungari, fajësojnë rënien e normave të lindshmërisë mbi një refuzim të prindërimit, raporti i UNFPA-së zbulon se shumica e njerëzve në fakt duan të kenë fëmijë.

Drejtoresha ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem, deklaroi:
“Problemi nuk është mungesa e dëshirës, por mungesa e mundësive – dhe kjo ka pasoja të mëdha për individët dhe shoqërinë. Kjo është kriza e vërtetë e lindshmërisë dhe zgjidhja qëndron në atë që njerëzit kërkojnë: leje familjare të paguar, kujdes të përballueshëm për fertilitetin dhe partnerë mbështetës.”

Një sondazh i realizuar nga YouGov në 14 vende tregoi se pothuajse një në pesë persona u shpreh se nuk e kishte arritur përmasën e familjes që dëshironte. Një në nëntë besonte se do të kishte më pak fëmijë sesa dëshironte dhe 7% se do të kishte më shumë. Pengesa kryesore ishte ajo financiare: 39% e të anketuarve thanë se vështirësitë ekonomike ose i kishin penguar të kishin më shumë fëmijë, ose mund t’i pengonin në të ardhmen.

Gratë ishin pothuajse dy herë më të prirura se burrat të përmendnin ndarjen e pabarabartë të punëve të shtëpisë si një faktor ndikues. Ndërkohë, të dy gjinitë përmendën frikën për të ardhmen – si ndryshimet klimatike apo konfliktet – si arsye që kishin kufizuar madhësinë e familjes.

“Shumë vende po përballen me popullsi në plakje, mungesë fuqie punëtore dhe rritje të kostove të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve. Këto janë shqetësime reale – por po i çojnë disa në përfundime të gabuara,” tha Kanem.

“Në vend që të nxisin pjesëmarrjen e grave në tregun e punës – që realisht rrit produktivitetin ekonomik – disa vende po i shtyjnë gratë dhe të rinjtë të kenë më shumë fëmijë. Diku është komshiu që të thotë të martohesh sa më shpejt, diku tjetër është qeveria që vendos reklama publike me të njëjtin mesazh. Dhe në disa raste, shtetet po vendosin kufizime mbi kontraceptivët dhe shërbimet e tjera riprodhuese.”

Megjithatë, politikat shtrënguese për të rritur lindshmërinë – si kufizimet ndaj abortit dhe kontraceptivëve – shpërblimet financiare (si propozimi në SHBA për të dhënë një “bonus bebeje” prej 5,000 dollarësh për çdo nënë të re), apo përpjekjet për të ndikuar drejtpërdrejt në normat e lindshmërisë, nuk japin efekt afatgjatë dhe madje mund të sjellin efekte të kundërta, paralajmëron raporti.

Mungesa e aksesit ndaj ndërprerjeve të sigurta të shtatzënisë çon në aborte të pasigurta, që janë një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve të nënave dhe infeksioneve që shkaktojnë infertilitet, tha Kanem.

“Kur njerëzit ndiejnë se zgjedhjet e tyre riprodhuese po kufizohen apo po drejtohen nga politika, reagojnë negativisht – dhe kjo i bën më pak të prirur për të pasur fëmijë. Zgjidhja nuk është të kufizosh zgjedhjen apo të vendosësh kush ka të drejtë të zgjedhë. Zgjidhja është t’u japim të gjithëve mundësinë për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe reale,” përfundoi ajo.

Theguardian