(Përse metoda, kureshtja dhe puna vlejnë më shumë se inteligjenca e lindur)

Shkrimtari francez Émile Zola ka thënë: “Artisti nuk është asgjë pa dhuntinë, por dhuntia nuk vlen asgjë pa punë.” E njëjta gjë vlen edhe për gjenitë.

Shpesh mendojmë se njerëzit e jashtëzakonshëm dallojnë vetëm nga truri i tyre. Por në të vërtetë, inteligjenca është vetëm fillimi. Nëse do ta krahasojmë me një tortë, Ajnshtajni kishte një “kuzhinë” më të madhe, por përsëri i duheshin përbërësit e duhur, receta dhe dëshira për të “gatuar” diçka të veçantë. Pa punë, askush nuk do ta njihte.

Pse inteligjenca nuk mjafton

Inteligjenca nuk është aq e rrallë sa mendojmë. Sot ka plot njerëz me potencial të ngjashëm me Ajnshtajnin, ashtu siç ka pasur edhe mijëra vite më parë. Por nuk mjafton të kesh mendje të madhe – duhet punë, prova, dështime dhe përpjekje të vazhdueshme.

Psikologu Françoys Gagné ndan aftësitë në dy grupe:

  1. Aftësitë natyrore – talenti i lindur që të gjithë e shohin.
  2. Aftësitë e zhvilluara me sistem – ato që fitohen me punë dhe përvojë, por që shpesh nuk i vë re askush.

Ne e vlerësojmë më shumë të parën sepse duket menjëherë, ndërsa të dytën e nënvlerësojmë sepse është “e padukshme”. Kështu, shpesh imitojmë gjërat e gabuara.

Çfarë bënë ndryshe Ajnshtajni dhe da Vinçi

Ajnshtajni nuk ishte nxënës i shkëlqyer në mënyrën tradicionale. Nuk i pëlqente mësimi përmendësh dhe nuk pranonte stilin autoritar të mësimdhënies. Ai kërkonte njerëz që e nxisnin të mendonte vetë. Një shembull ishte “Akademia Olympia” – një grup miqsh me të cilët lexonte dhe diskutonte filozofi, shkencë e letërsi, thjesht nga dëshira për të mësuar. Pikërisht aty hasi disa ide që më vonë do të ndryshonin botën.

Leonardo da Vinçi, nga ana tjetër, mësoi nga puna praktike në studion e mjeshtrit të tij Verrokio. Ai provonte gjithçka – nga piktura te mekanika e uji – dhe shpesh nuk i përfundonte projektet sepse e tërhiqte diçka e re. Disa e shihnin si mangësi, por pikërisht kjo kureshtje e çoi drejt shpikjeve dhe ideve të mëdha.

Të dy kishin diçka të përbashkët: mendim jo të zakonshëm, dëshirë për të provuar gjëra të reja dhe kureshtje të pafundme.

A mund të bëhesh gjeni?

Shumë mendojnë se gjenia është dhuratë nga lindja. Por e vërteta është se ajo kultivohet. Kushdo mund të zhvillojë më shumë mendjen e tij duke ushqyer kureshtjen, duke vënë në dyshim gjërat dhe duke punuar vazhdimisht.

Fillimi është te etika e punës:

  • provo metoda të reja si Ajnshtajni,
  • eksploro fusha që nuk i njeh si da Vinçi,
  • ndiq ide edhe nëse nuk të duhen menjëherë.

Ndoshta nuk do të zgjidhësh problemet e fizikës si Ajnshtajni, por me këtë qasje do të hysh në një grup të rrallë njerëzish – ata që bëjnë punën që lind gjeni. Dhe kjo është më e vlefshme se çdo IQ.

Psychologytoday