Kërkime të reja hedhin poshtë një bindje të përhapur se personat që përdorin dorën e majtë më shumë janë më kreativë. Me siguri e keni dëgjuar shpesh idenë se ata kanë më shumë sukses në fushat krijuese. Ka plot që e mbështesin këtë ide si, Michelangelo, Albert Einstein, Paul McCartney, Lady Gaga dhe plot të tjerë.

Por a ka vërtet prova që përdorimi i dorës së majtë jep një avantazh krijues? Një ekip kërkuesish nga Cornell vendosi t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, duke kombinuar të dhëna nga 17 studime të kryera gjatë 100 viteve të fundit. Analiza e tyr “Të djathtë dhe përdorues të dorës së majtë: Fakte dhe mite rreth krijimtarisë,” e publikuar muajin e kaluar në Psychonomic Bulletin and Review, tregoi se personat që përdorin dorën e majtë nuk rezultojnë më mirë në testet laboratorike të dizajnuara për të matur krijimtarinë. Në fakt, disa studime gjetën se ata që përdorin dorën e djathtë kishin një avantazh të lehtë në këto teste.

Në një analizë të dytë, ekipi analizoi të dhënat e afro 12,000 banorëve të SHBA-ve, përfshirë informacione rreth profesionit dhe dorës dominante. Pjesëmarrësit në sondazh punonin në 770 profesione të ndryshme, përfshirë ato që tradicionalisht konsiderohen krijuese, si artistët dhe muzikantët, si dhe profesione të tjera që kërkojnë gjithashtu mendim krijues, si matematikanët dhe fizikantët. Kjo analizë tregoi se përdoruesit e dorës së majtë në fakt ishin të nën-përfaqësuar në profesionet që kërkonin më shumë krijimtari.

Owen Morgan, student i doktoraturës në psikologji, ishte autori kryesor i studimit. Daniel Casasanto, profesor i asociuar i psikologjisë në Kolegjin e Ekologjisë Humane në Cornell, dhe Siyi Zhao, student doktorature në Universitetin Kinez të Hong Kongut (dhe ish-studente në Cornell), ishin bashkautorë.

“Të dhënat nuk mbështesin ndonjë avantazh në të menduarin krijues për personat që përdorin dorën e majtë më shumë se dorën e djathtë,” tha Casasanto.

Ai shpjegoi se do të kishte kuptim që ata të ishin më krijues, bazuar në atë që dimë për trurin. Aftësia për të eksploruar zgjidhje dhe për të bërë lidhje të papritura mbështetet më shumë nga hemisfera e djathtë e trurit, e cila kontrollon dorën e majtë. Duke përdorur dorën e majtë për aktivitete të përditshme si të shkruarit, aktivizohet më shumë pjesa e trurit që lidhet me krijimtarinë.

Por pavarësisht këtyre fakteve mbi trurin dhe trupin, ideja se ata janë më krijues duket se është më shumë një mit urban. Megjithatë, kjo bindje mund të mbështetet në një grimcë të vërtete: përdoruesit e dorës së majtë janë më të zakonshëm mes dy grupeve krijuese artistëve dhe muzikantëve.

“Njerëzit janë fokusuar tek këto dy profesione krijuese ku ata janë të mbireprezentuar,” tha Casasanto. “Por nëse bëni një sondazh të paanshëm në shumë profesione, atëherë superioriteti i dukshëm zhduket.”

Mesazhi kryesor: Në kundërshtim me atë që besohet gjerësisht, nuk ka prova të qarta që njerëzit që përdorin dorën e majtë janë më kreativë se të tjerët.

Psychologytoday