Lira Gjika, në një prej reflektimeve të saj të fundit të publikuara në rrjetet sociale, ndalet tek një ide që shpesh prindërit e harrojnë: asnjë nënë nuk mund ta dojë fëmijën më shumë sesa ai do vetveten.
Sipas saj, detyrë parësore e prindërve, veçanërisht e nënës, është pikërisht të kujdeset që kjo e vërtetë të mbetet e pacenueshme: ta ndihmojë fëmijën të ruajë dashurinë për veten dhe besimin në aftësitë e tij.

Gjika thekson se që në momentin e lindjes, çdo reagim i foshnjës tregon një gjë të vetme, dëshirën për të ekzistuar. Ai kërkon ushqim, ngrohtësi, siguri, dhe përmes këtij instinkti të fuqishëm të jetës, “e detyron” mjedisin përreth të reagojë ndaj nevojave të tij. Megjithatë, sipas edukatores, kjo forcë shpesh anashkalohet nga të rriturit, të cilët priren ta konsiderojnë veten më të rëndësishëm në jetën e fëmijës.

“Duke e trajtuar fëmijën si të paaftë, prindërit i heqin atij përgjegjësinë për sjelljen dhe zhvillimin e vet,” shkruan Gjika. Kjo qasje, sipas saj, e pengon fëmijën të ndërtojë besimin tek vetja dhe e bën më pasiv në procesin e rritjes.

Ajo nënvizon se megjithëse fëmija në vitet e para varet plotësisht nga i rrituri, procesin e zhvillimit dhe rritjes ai e përjeton vetë. “I rrituri siguron ekzistencën, por rritjen fëmija e realizon vetë. Çdo çast ai është më i rritur se çasti më parë,” shprehet ajo.

Edhe të qarët, sipas Gjikës, është një mjet komunikimi i fuqishëm me të cilin fëmija i detyron të rriturit të reagojnë, të qetësojnë veten dhe t’i përkushtohen atij. Por prindërit shpesh nuk e kuptojnë këtë dimension të ndjeshëm të zhvillimit dhe vazhdojnë të mendojnë se “janë ata që e rrisin fëmijën”.

Në përfundim, Lira Gjika thekson se të rriturit duhet të përpiqen të shohin botën me sytë e fëmijës, të kuptojnë si ai i përfton qëndrimet dhe veprimet e tyre. Vetëm kështu, sipas saj, prindërit mund ta ndihmojnë fëmijën të rritet me dashuri për jetën dhe për veten.

Lira Gjika