Mendoni të zgjoheni në mëngjes nga një zë i butë që ju sugjeron të çohet nga krevati, t’ju tregojë disa opsione veshjesh në telefon dhe ndërkohë më poshtë, mëngjesi ju pret i gatuar. I njëjti zë lexon orarin e ditës, ju komplimenton për paraqitjen dhe ju kujton të merrni drekën e paketuar. Makina vetë-drejtuese ju çon në punë, ndërsa telefoni bllokon ekranin me mesazhin: “Tani mund të jetë moment i mirë për meditimin tënd.”

Gjatë ditës, kjo shoqëruesja digjitale kontrollon humorin tuaj, ju sugjeron plane, kujdeset të pini ujë dhe, kur ndjeni lodhje pas drekës, ju propozon një sy gjumë. Në fund të ditës, ju përgëzon për produktivitetin dhe ju kthen në shtëpi.

Një skenar i tillë, që deri dje dukej si fantashkencë, sot duket shumë pranë realitetit. Por pyetja që lind është: a po krijojmë një teknologji që vetëm na ndihmon, apo edhe një kujdestar që na rrit si fëmijë?

Paradoksi i përpjekjes

Në thelb, njerëzit përpiqen t’i shmangen lodhjes. Zakonisht kërkohet një vend parkimi afër derës, vetëm për të evituar disa hapa më shumë. Por, në të njëjtën kohë, njerëzit shpesh kërkojnë përpjekje vullnetare – ngjiten në male, bëjnë fjalëkryqe, mësojnë instrumente pa pasur asnjë plan për t’u bërë muzikantë.

Ky kundërshtim njihet si “paradoksi i përpjekjes”. Nga njëra anë, na pëlqen kur e kemi më lehtë, por nga ana tjetër, gjërat që kërkojnë mundim shpesh marrin më shumë vlerë për ne. Ky është edhe efekti i njohur si “IKEA effect”: pse na pëlqen më shumë një raft që e kemi montuar vetë sesa i njëjti raft i gati-blertë. Përpjekja i jep kuptim asaj që bëjmë.

Nëse inteligjenca artificiale na e heq çdo pengesë – duke zgjidhur problemet para se t’i provojmë vetë – rrezikojmë të humbasim pikërisht ato përvoja që na bëjnë të rritemi dhe të gjejmë kuptim.

Çfarë na mësojnë kujdestarët

Psikologët e zhvillimit, si Alison Gopnik, theksojnë se fëmijët janë “të përshtatur për të mësuar”, por kanë nevojë për kujdes të gjatë. Kujdestarët i udhëheqin, i mbrojnë dhe i ndihmojnë të mësojnë ku duhet të përqendrojnë përpjekjet. Madje, studimet tregojnë se fëmijët që shohin të rriturit të këmbëngulin në detyra të vështira, vetë bëhen më këmbëngulës.

Megjithatë, prindërit shpesh bien në grackën e “mbi-prindërimit” – duke bërë për fëmijët gjëra që ata mund t’i mësojnë vetë. Si pasojë, motivimi i fëmijëve bie, sepse u hiqet ndjenja e pavarësisë dhe aftësisë.

Kujdestaria e IA

Nëse teknologjitë e mëparshme si bujqësia, industrializimi dhe globalizimi e zgjatën periudhën e mësimit dhe zhvillimit, IA mund të shkojë edhe më tej – duke e shtrirë kujdestarinë gjatë gjithë jetës.

Ky rol mund të ketë dy anë:

  • Rreziku: si një “prind helikopter”, IA mund të na privojë nga autonominë dhe përpjekjet personale. Shembull i qartë janë aplikacionet e takimeve, ku AI jo vetëm sugjeron partnerë, por edhe shkruan mesazhe flirty. Kjo e lehtëson procesin, por heq mundësinë e sikletshme – dhe njëkohësisht të rëndësishme – të njohjes reale.
  • Mundësia: nëse përdoret si udhërrëfyes, IA mund të mbështesë zhvillimin tonë. Një tutor digjital mund t’i japë nxënësit kontekste të reja, shembuj të përshtatur dhe ndihmë vetëm aq sa duhet për të ecur përpara, pa ia marrë dorën plotësisht.

Një marrëdhënie që varet nga ne

Siç theksohet në artikullin origjinal, e ardhmja nuk do të përcaktohet vetëm nga fuqia e teknologjisë, por nga marrëdhënia që ndërtojmë me të. Nëse e lejojmë IA të na kujdeset pa na marrë kontrollin, ajo mund të bëhet një udhëheqëse e vlefshme. Por nëse na e heq përpjekjen, mund të na mbajë përgjithmonë në një “fëmijëri” të zgjatur.

Prandaj, edhe në këtë epokë të inteligjencës artificiale, është e rëndësishme të vazhdojmë të provojmë, të eksperimentojmë dhe të zgjedhim rrugën më të gjatë herë pas here. Sepse, siç theksojnë studiuesit, pikërisht përpjekja jonë është ajo që i jep jetës kuptim.

psychologytoday