Një ditë në një qendër fëmijësh troket polici dhe kërkon të flasë me menaxherin. Polici i tregon arsyen përse ka ardhur te qendra. Fqinjët pranë qendrës kishin bërë ankesë se zëri i tyre i shqetësonte banorë e moshës së dytë dhe të tretë.
Polici kontrolloi dokumentat, vizitoi qendrën. Pa fëmijët në oborr që po mblidhnin barë për të ushqyer breshkën dhe kërminjtë, për të cilët kujdeseshin. Natyrisht zërat e tyre ishin të lartë jo se po bërtisnin, por nga energjia e jetës që është dhe karakteristikë e kësaj moshe.
Hyri në mjediset brënda dhe pa fëmijë duke punuar me projektin e fundvitit dhe me një buzëqeshje gjithë mirësi iu drejtua menaxherit të kopshtit: Ne e dimë që jeni në regull, por kur ka ankesa ne duhet të bëjmë verifikimin në vend. U përshëndet me menaxherin dhe edukatoret e qendres dhe u largua.
Kur ma tregoi këtë ngjarje menaxheri i qendrës, ishte më shumë i habitur se sa i mërzitur dhe më pyeti: -Pse njerzit i bezdis kaq shumë zëri i fëmijëve? Ja që ka dhe njerëz që zhurmat e fëmijëve i acarojnë. Edhe pse zhurmat e fëmijëve janë muzika më e bukur në botë dhe për moshat e dyta e të treta.
Zërat e fëmijëve kanë një ndikim shumë pozitiv, për fat të keq ka ende njerëz të rinj e të vjetër që bezdisen dhe nuk e durojnë dot. Fëmijët me zërat e tyre janë “gjëja” më e bukur dhe më shëndetshme që gjëndet në këtë tokë.. tregon Lira Gjika