Emancipimi

Kush mund të quhet hap emancipues për ne?

Sipas Konicës, hap emancipues do të jetë “kur të mos e quajmë vrasjen trimëri”.

Ku fillon emancipimi?

Natyrisht në familje. Kur prindërit nuk e gënjejnë fëmijën nuk e shohin të vogël por njeri, kur nuk e keqtrajtojnë apo krahasojnë, kur nuk e nxitin të hakmerret. Kur burri dhe gruaja dialogojnë, zgjedhin fjalët dhe nuk e fyejnë njëri tjetrin. Kur në familje vajza nuk diskriminohet apo trajtohet si njeri i dorës së dytë apo pronë. Kur të rriturit menaxhojnë emocionet e tyre. Kur shkolla ka mision inteligjencën emocionale dhe sociale, jo konkurencën. Të bëhet princip pune “fitimtari nuk konkuron”. Kur mësuesi nuk është indiferent ndaj bullizmit. Dallon arritjet e nxënësit dhe jo mosarritjet, i ushqen besimin te vetja nxënësve dhe jo dyshimin. Kur shkolla ka mësues që mendojnë se mësues i mirë është ai që e bën nxënësin më të mirë se vetja. Kur profesioni i mësuesit do të jetë profesioni më me vlerë i kombit dhe mësuesi i vetëdijshëm për këtë mission.

Përçmimi

Kur një nënë apo baba, po edhe gjyshërit, i bien me shpullë apo pëllëmbë ose më keq akoma, rrahin një fëmijë për gabimet që bën, ata, prindërit, gjyshërit, i transmetojnë fëmijës përçmimin e tyre për fëmijën. Është e vërtetë që ata nuk e kanë qëllim këtë gjë, por veprimi i tyre këtë gjë trasmeton. Dhuna ka në thelb të saj përçmimin për jetën dhe tjetrin. Fëmija është i parritur dhe nuk ka shumë mekanizma, që të mund të përballojë një eksperiencë të tillë dhune nga ata, të cilët duhet ta mbrojnë e ta duan. Kur e godasim një fëmijë në trup, për fëmijën është t’i prishësh tërësinë trup-shpirt. Fëmija në këto raste, vuan fizikisht nga dhimbjet e goditjes, të cilat e trembin shumë ndersa psikoemocionalisht ai zhbëhet në një “gjë” pa vlerë, për veten e tij. Një fëmijë i keqtrajtuar ndihet shumë keq, pasi nuk kupton pse e keqtrajtojnë të rriturit. Ai po përpiqet të bëjë si ata, ose i duhet pak ndihmë nga ata që të qetësohet. Mirëpo të rriturit nuk kanë “kohë”, “nerva” e “durim” dhe i bien shkurt, e godasin fëmijën, pa menduar se çfare përfton fëmija nga sjellja e tyre. Fëmija mendon se po të ishte i mirë prindi apo gjyshërit, nuk do të silleshin ashtu me të dhe këtu e ka zanafillën niveli i ulet i vetvlerësimit apo karakteri i dhunshëm që haset rëndom tek të rriturit.

Lira Gjika