Shqipëria ka nevojë të menjëhershme për forcimin e Edukimit dhe Kujdesit në Fëmijërinë e Hershme (EKFH) si një mjet kyç për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe për rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës.

Sipas dokumentit të fundit të rishikimit të financave publike në Shqipëri nga Banka Botërore, pavarësisht se shpenzimet publike për këtë sektor janë rritur, ato mbeten ende të ulëta krahasuar me standardet ndërkombëtare. Raporti thekson se, ndonëse popullsia po tkurret, kërkesa për shërbime të EKFH po rritet.

“Përshpejtimi i përpjekjeve për përmirësimin e financimit të qeverisjes vendore mund të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve të EKFH. Aktualisht, qasja në këto shërbime është e kufizuar dhe jo e barabartë: vetëm 10% e fëmijëve nën tre vjeç regjistrohen në çerdhe publike, ndërsa 18 bashki nuk ofrojnë fare shërbime të tilla. Variacionet në tarifat për prindërit dhe mungesa e një kornize të qartë rregullatore për shërbimet private përkeqësojnë më tej pabarazitë” thuhet në raport.

Banka Botërore gjithashtu vëren se sfidat e bashkëpunimit institucional midis ministrive dhe njësive të qeverisjes vendore fragmentojnë ofrimin e shërbimeve, ndërsa mungesa e të dhënave të plota e vështirëson planifikimin dhe synimin efektiv.

Megjithëse reforma për përmirësimin e formulave të transfertave dhe përdorimin e granteve të bazuara në performancë është në zhvillim, përshpejtimi i përpjekjeve për të forcuar menaxhimin financiar, praktikat e buxhetimit dhe mbikëqyrjen e shërbimeve në nivel vendor mbetet i domosdoshëm për të arritur efikasitet më të lartë fiskal.

Dokumenti gjithashtu nënvizon rëndësinë e rritjes së efikasitetit të financimit dhe të përfshirjes më aktive të partnerëve privatë. “Adresimi i këtyre sfidave kërkon jo vetëm rritje të investimeve publike, por edhe një qasje më strategjike në alokimin e tyre. Efikasiteti i financimit përmes granteve të mirë të synuara, sistemeve të forta të menaxhimit financiar vendor dhe kornizave rregullatore të qarta është kyç për të maksimizuar ndikimin e burimeve të kufizuara. Zgjerimi i partneriteteve me ofrues privatë, mbështetja e kujdesit për fëmijë nga punëdhënësit dhe mobilizimi i fondeve ndërkombëtare mund të ndihmojnë gjithashtu në mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore” shprehet raporti.

Monitor