Mesazhe për prindërit, stafin shkollor dhe palët e treta në marrëdhënie me fëmijët.

Prindërit, pjesëtarët e tjerë të familjes dhe palë të tjera pranë fëmijëve luajnë një rol kyç në ndihmën që duhet t’u jepet fëmijëve për të kuptuar dhe filtruar informacionin që marrin për koronavirusin duke shmangur ankthin dhe stresin.

Ja disa nga parimet thelbësore për mënyrën si komunikoni këto kohë më fëmijën.

Ruaj qetësinë dhe përcille edhe tek fëmijët.

  • Kini parasysh faktin që fëmijët reagojnë jo vetëm ndaj asaj që thoni por edhe ndaj mënyrës si e thoni. Bisedat që zhvilloni me ta dhe me njerëz të tjerë në prani të fëmijëve janë pjesëza në mozaikun që fëmija juaj krijon në lidhje me situatën.

Tregohuni të gatshëm për të dëgjuar dhe folur.

  • Krijoni hapësira për bashkëbisedime. Sigurohuni që fëmijët tuaj të ndihen të gatshëm të vijnë tek ju për pyetjet që mund t’u lindin.

Shmangni përdorimin e një gjuhe fajësuese apo diskriminuese ndaj të tjerëve.

  • Mbajmë parasysh këtu faktin që viruset mund të prekin këdo, pa dallim rrace apo etnie. Shmangni presupozimet hipotetike në lidhje me ata që ju i mendoni si të prirur ndaj COVID-19.

Kushtojini vëmendje asaj që fëmijët dëgjojnë apo shikojnë në televizor, radio apo në internet.

  • Synoni të reduktoni kohën e lejuar për përdorim pajisjesh teknologjike, sidomos për informacione mbi COVID-19. Informacioni i tepërt mbi një temë të caktuar krijon ankth.

Jepni informacion të saktë dhe të përditësuar.

  • Jepuni fëmijëve tuaj informacion të besueshëm dhe të përshtatshëm për grupmoshën dhe nivelin e zhvillimit të tyre.
  • Flisni me fëmijët rreth faktit që disa nga historitë rreth koronavirusit në internet dhe media të tjera sociale mund të jenë të pavërteta dhe jo të besueshme.

Mësojuni fëmijëve veprime rutinë që ndihmojnë në reduktimin e përhapjes së mikrobeve.

  • Kujtojuni fëmijëve të mbajnë distancë me njerëzit që kolliten, tështijnë apo duken të sëmurë.
  • Kujtojuni të tështijnë apo të kolliten duke vendosur shami njëpërdorimshe para fytyrës apo bërrylin e tyre në vend të shamisë.
  • Vendosni një rutinë larjeje duarsh për fëmijët.
    • Mësojini fëmijët me idenë e larjes së duarve me sapun dhe ujë të rrjedhshëm për jo më pak se 20 sekonda, sidomos pas kollitjes, të tështiturit apo fshirjes së hundëve; vajtjes në banjo; dhe para ngrënies apo përgatitjes së vakteve.
    • Në mungesë të ujit dhe sapunit, mësojini të përdorin larës duarsh me bazë alkoli. Larësi i duarve duhet të përmbajë minimalisht 60% alkol. Mbikëqyrni fëmijët e vegjël gjatë përdorimit të larësit të duarve për të parandaluar gëlltitjen e substancës nga fëmija, veçanërisht në shkolla dhe institucione të kujdesit për fëmijë.

Fakte mbi COVID-19 të cilat mund t’i diskutoni me fëmijët tuaj

Mundohuni që informacionin t’ia jepni në mënyrë të thjeshtuar dhe t’u rikujtoni që punonjësit shëndetësorë apo policorë po mundohen për të mirën tonë.

Çfarë është COVID-19?

  • COVID-19 është emri i shkurtuar i sëmundjes së “koronavirusit 2019”. Është një lloj virusi i ri. Doktorët dhe shkencëtarët janë akoma duke mësuar rreth tij.
  • Kohët e fundit ky virus ka sëmurur shumë njerëz. Shkencëtarët dhe mjekët besojnë se pjesa më e madhe e njerëzve do t’ia hedhin paq lehtazi, sidomos fëmijët, por disa njerëz të tjerë mund të sëmuren shumë.
  • Doktorët dhe profesionstët shëndetësorë po punojnë fort për t’i ndihmuar të gjithë të jenë të sigurt.

Çfarë mund të bëj në mënyrë që të mos sëmurem me COVID-19?

  • Mund të praktikoni disa zakone të shëndetshme për t’u mbrojtur ndaj përhapjes së COVID-19:
    • Kollitu apo tështij duke përdorur shami njëpërdorimshe apo në pjesën e brendshme të bërrylit. Nëse kollitesh apo tështin tek shamia njëpërdorimshe, hidhe menjëherë në koshin më të afërt.
    • Mbaji duart larg gojës, hundës dhe syve. Kjo do ju ndihmojë të mbani mikrobet jashtë trupit tuaj.
    • Lani duart me sapun dhe ujë për më shumë se 20 sekonda. Ndiqni këta pesë hapa — hidhni ujë, shkumoni, fërkoni, fshijini dhe thajini. Nëse të pëlqen kënga e ditëlindjes këndo atë dy herë gjatë larjes së duarve.
    • Nëse nuk keni ujë dhe sapun, kërkoni ndihmë nga të rriturit për të përdorur larës të veçantë duarsh.
    • Mbajini gjërat e pastra. Fëmijët më të rritur mund të ndihmojnë të rriturit në shtëpi dhe në shkollë me pastrimin e objekteve që prekim më së shumti, si bankat, dorezat e dyerve, çelësat e dritave apo edhe telekomandat.
    • Nëse nuk ndiheni mirë, rrini në shtëpi. Ashtu siç nuk do të marrësh mikrobet e te tjerëve ti, nuk duan as të tjerët të marrin të tuat.

Çfarë ndodh nëse sëmuresh me COVID-19?

  • COVID-19 mund të manifestohet në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Shumë njerëz të sëmurë me koronavirus mund ta kalojnë  si një grip të zakonshëm. Ka njerëz që mund të kolliten, të kenë temperaturë apo vështirësi për tu mbushur me frymë. Pjesa më e madhe e njerëzve që janë infektuar me COVID-19 nuk janë sëmurur rëndë. Vetëm një grup i vogël personash të prekur janë sëmurur rëndë. Sipas doktorëve derimë tani, mazhoranca dërrmuese e fëmijëve nuk sëmuren rëndë me koronavirusin. E ndërkohë që shumë të rritur preken nga infeksioni, shumica e tyre e kalojnë me sukses.
  • Nëse sëmuresh, nuk është e thënë të jesh infektuar me COVID-19. Njerëzit sëmuren nga shumë lloje mikrobesh. Ajo që duhet të varësh vath në vesh është që nëse sëmuresh, të rriturit do të të ndihmojnë të marrësh ndihmën e nevojshme shëndetësore.
  • Nëse dyshoni që fëmija juaj mund të jetë infektuar me COVID-19, telefonojini paraprakisht 127, përpara se ta çoni fëmijën për vizitë.