Nga Mjekja Pediatre Lira Gjika
Prindër, kini pak durim. Ndihmojeni fëmijët të mos mësojnë duke prishur lodra apo duke grisur libra e revista, por duke vëzhguar, zbuluar dhe ruajtur. Mos jini indiferentë ndaj dukurive të tilla, pasi fëmija nuk i di gjërat, ai i mëson nga ju.
Fëmija nuk mund të luajë e të mësojë i vetëm, pa praninë e të rriturit. Veprime si prishja e lodrave apo grisja dhe zhubrosja e librave tregojnë se fëmija ndihet vetëm. Ai është i vogël, i parritur, por ka shumë energji. Po të mos përfshihet në aktivitete të ndryshme së bashku me të rriturit, ai ndihet i vetmuar dhe i mërzitur.
Vetmia dhe mërzia që fëmija provon, sidomos kur mbetet vetëm me sendet dhe nuk ka pranë dikë që t’i demonstrojë çfarë mund të bëjë apo ta ndihmojë të mësojë gjëra të reja, shprehen përmes veprimeve ndaj objekteve. Kështu, ai e shkarkon këtë ndjesi mbi gjërat që e rrethojnë: lodrat, librat apo sendet e tjera, të cilat i prish, i gris ose i zhubros, sepse nuk di çfarë të bëjë me to.
Fëmija mund ta ketë mësuar se librin ia lexon mami apo babi dhe kënaqet me këtë moment, por kur mbetet vetëm, libri nuk e kënaq më. Atëherë ai e gris ose e zhubros. Nëse prindi nuk tregon kujdes për librat, lodrat dhe sendet e fëmijës, nuk i sistemon apo nuk i mëson që duhen ruajtur për t’u përdorur sërish, ky bëhet modeli që fëmija ndjek. Ai do t’i trajtojë po ashtu, pa kujdes.
Fëmija që gris librin dhe prish lodrat, që nuk bindet me fjalën, por vetëm me prekjen e ashpër apo kërcënimin, nga specialistët e fushës së psikes cilësohet si fëmijë i neglizhuar.
Prindër dhe ju mësues, përpara se të paragjykoni, të etiketoni apo të nxeheni, përpiquni të jeni të dobishëm për fëmijën ose për nënën. Ashtu si kopshtari që çdo ditë heq barërat, plehëron dhe ujit tokën, edhe ju përpiquni me durim ta ndihmoni fëmijën të realizojë vetë atë që mëson.
Mos e trembni dhe mos e frenoni me padurimin, dyshimin apo bezdinë dhe lodhjen që ndieni. Prindërit dhe mësuesit shpesh urdhërojnë dhe presin që fëmija të realizojë menjëherë atë që i kërkohet. Por edhe urdhri, kur jepet, kërkon një minimum kohe për t’u zbatuar dhe sigurisht, pas një trajnimi të gjatë.
Ata që kanë qenë ose janë ushtarakë e dinë mirë sa punë duhet për të zbatuar një komandë të thjeshtë si “gati – tu”. Sa punë duhet për ta dhënë komandën me zë të saktë, në mënyrë që ata që do ta zbatojnë të mos tremben e të mos hutohen.
Nëse për të mësuar një komandë kërkohet kaq shumë punë, për t’u rritur duhet shumë më tepër dhe këtë duhet ta pranojmë të gjithë.