Minecraft dhe lojëra të tjera kreative po njihen gjithnjë e më shumë si mjete të fuqishme për vetëshprehje dhe mbështetje për shëndetin mendor, veçanërisht për fëmijët që kanë përjetuar trauma – përfshirë edhe refugjatët ukrainas.

Djali i Oleksii Sukhorukov ishte vetëm 12 vjeç kur filloi pushtimi rus i Ukrainës. Familja u zhyt në një realitet të trazuar dhe traumatizues: Sukhorukov hoqi dorë nga puna në industrinë e argëtimit, ku kishte punuar me realitetin virtual dhe videot lojërat, dhe familja u izolua nga miqtë e të afërmit. Por në këtë kaos, djali i tij gjeti një strehë: Minecraft-in. Çfarëdo që ndodhte jashtë, ai futej në botën dixhitale të kësaj loje dhe gjente qetësi.

Pas 24 shkurtit 2022, Sukhorukov filloi të e shihte Minecraft-in ndryshe. Ai vuri re se fëmijët ukrainas luanin së bashku online – disa në territore të pushtuara, të tjerë në zona të kontrolluara nga qeveria, të shënjestruara rregullisht nga sulmet me raketa; shumë prej tyre tashmë ishin refugjatë. E megjithatë, ata gjenin mënyra për të ndërtuar një botë të përbashkët, për të komunikuar e për t’u mbështetur reciprokisht. Kjo e shtyu të kthehej në profesionin e psikologut – një fushë për të cilën kishte studiuar më herët – dhe të përpiqej të përdorte përvojën e tij në botën dixhitale për të ndihmuar të tjerët.

Sot ai është pjesë e Divizionit të Psikologjisë Kibernetike dhe Praktikës Psikologjike në Mjedise Dixhitale pranë Shoqatës Psikologjike të Ukrainës. Në vitin 2023, themeloi projektin HealGame Ukraine, që synon të eksplorojë përdorimin e video lojërave si formë mbështetjeje emocionale dhe psikologjike. Bashkë me Universitetin Teknik të Donetskut, ata po krijojnë një server të posaçëm në Minecraft për të lidhur fëmijët ukrainas që ndihen të izoluar për shkak të luftës. Serveri do të moderohet nga psikologë dhe punonjës socialë dhe do të ketë gjithashtu aktivitete të përshtatura për fëmijët me nevoja të veçanta.

Përdorimi i lojës si mjet terapeutik për fëmijët nuk është i ri që nga fillimi i shekullit të kaluar, emra si Anna Freud, Melanie Klein dhe Virginia Axline e vendosën lojën në zemër të terapisë për të vegjlit. Por përdorimi i video lojërave në këtë kontekst ka marrë hov në dekadën e fundit, falë një brezi terapistësh që janë rritur duke luajtur vetë.

Në vitin 2011, terapisti amerikan Mike Langlois botoi librin Reset: Video Games & Psychotherapy, një udhëzues për profesionistët që dëshironin të kuptonin kulturën e lojërave kompjuterike dhe rolin e tyre në jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve. Ky libër tërhoqi vëmendjen e këshilltares britanike Ellie Finch, e cila kishte nisur të mendonte për përdorimin terapeutik të lojërave pas disa seancave argëtuese me mbesat në Minecraft.

Finch, e cila punonte në një shërbim këshillimi për të rinj në Londër, e vuri re sidomos gjatë pandemisë se sesionet online nuk ishin gjithmonë të mjaftueshme për të krijuar lidhje emocionale me fëmijët. Shumë prej tyre kalonin kohë duke luajtur lojëra. Duke filluar të fliste me ta për këto lojëra, ajo kuptoi se përmes lojës mund të kuptonte më mirë botën e tyre të brendshme. Dhe më pas vendosi të bashkohej me ta brenda në lojë.

Minecraft ka rezultuar veçanërisht efektiv. Me mbi 200 milionë lojtarë në mbarë botën, është një mjedis i njohur për shumicën e fëmijëve. Struktura e hapur dhe kreative e lojës – ku mund të ndërtosh, të eksplorosh, të përballesh me përbindësha ose thjesht të krijosh botën tënde – ofron mundësi të pafundme për të shprehur ndjenjat dhe për të krijuar siguri psikologjike.

Në praktikat e saj, Finch ndërton një botë të veçantë Minecraft për çdo klient, ku hyn vetëm ajo dhe fëmija. Klienti vendos rregullat disa preferojnë një botë kreative pa rreziqe, të tjerë një terren të sheshtë dhe bosh. Në seancën e parë, ajo zakonisht i kërkon fëmijës të krijojë një “vend të sigurt” – një shtëpi, një kështjellë, një strehë nën ujë, etj. Ajo që ndërtojnë fëmijët dhe mënyra si e ndërtojnë i tregon shumë për emocionet dhe nevojat e tyre.

Seancat mund të jenë jodirektive – ku terapisti ndjek klientin për të ndërtuar raportin dhe për të interpretuar sjelljet – apo edhe direkte, me detyra specifike për qëllime terapeutike. Për shembull, Sukhorukov dhe psikologia ukrainase Anna Shulha organizuan një aktivitet të quajtur WonderWorld për fëmijët refugjatë ukrainas në Gjermani. Fëmijët kishin përjetuar trauma dhe ndiheshin të shkëputur nga moshatarët. Në një seri seancash, ata krijuan një skenar ku fëmijët duhej të gjenin zarfa me simbole të Minecraft në ambientin real në konvikte apo në park – për t’i përdorur më pas në lojë dhe për të bashkëpunuar për ndërtimin e objekteve.

Në fund të çdo seance, fëmijët reflektonin për ndjenjat pozitive që kishin përjetuar gjatë lojës. Ndërtimet e tyre ishin dëshmi e botës së tyre të brendshme: ishin të hapura dhe plot dritë apo të fshehura thellë nëntokë? A ndihmonin njëri-tjetrin kur dikush humbiste? “Siç thotë kolegia ime Anna Shulha: Mënyra si luan një fëmijë është mënyra si ai jeton,” thekson Sukhorukov.

Finch gjithashtu e sheh krijimtarinë në lojë si një gjuhë shprehjeje një mënyrë për fëmijët që të flasin pa fjalë. Fëmijët i kanë treguar se si ndihen të frikësuar duke e çuar në shpella të errëta. Të tjerë kanë ndërtuar trampolina për të shpërthyer energjinë. Të rinjtë, ndërkohë, kanë kërkuar të kenë hapësirë duke e lënë terapisten në një dhomë të sigurt ndërsa ata eksploronin vetëm.

Në vitin 2024, Finch bashkëpunoi me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kembrixhit në projektin Bridging the ChASM, për të promovuar përdorimin e Minecraft-it si mjet terapeutik. Sot, gjithnjë e më shumë terapistë po eksperimentojnë me forma të ndryshme të video-lojërave, si Fortnite, Roblox dhe Animal Crossing.

Sipas psikologes Jessica Stone: “Fëmijët e brezit të sotëm nuk e përdorin teknologjinë si zëvendësues, por si gjuhën e tyre të parë të lidhjes dhe krijimtarisë. Bazat e psikoterapisë nuk zhduken në këto hapësira dixhitale – përkundrazi, ato zmadhohen.”

Sot, Finch po shqyrton mundësinë për ta zgjeruar terapinë me lojëra edhe për të rriturit, përfshirë çifte që tashmë luajnë së bashku dhe që kanë parë përfitime në komunikim përmes kësaj përvoje.

Për Sukhorukov, lidhja mes fëmijëve ukrainas dhe Minecraft-it ka një domethënie edhe më të thellë. “Nëse kërkoni ‘Майнкрафт Україна’ në YouTube, do të gjeni video të krijuara nga fëmijë që flasin për luftën, për robërinë, për dhunën. Shumë kanë të afërm në ushtri, ose që janë marrë peng. Të tjerë jetojnë në territore të pushtuara. Është e vështirë të gjesh një fëmijë ukrainas që nuk është prekur nga lufta.”

“Dhe ka diçka që është e vështirë për ta përfytyruar: qytetet e tyre Volnovakha, Bakhmut, Soledar – tashmë ekzistojnë vetëm në Minecraft. Fëmijët nuk mund të shkruajnë artikuj, nuk mund të flasin në OKB. Por ata kanë nevojë të flasin – për dhimbjen, për frikën, për padrejtësinë dhe për humbjen. Dhe loja është gjuha e tyre.”

theguardian