Ecja është e lidhur me një rrezik më të ulët për demencë, diabet, sëmundje të zemrës dhe të tjera, por një studim i ri tregon se mund të përfitoni nga më pak se 10,000 hapa në ditë.
Për shumë vite, është besuar se për të qenë të shëndetshëm, duhet të ecim të paktën 10,000 hapa në ditë. Megjithatë, shkencëtarët po hedhin dyshime mbi këtë objektiv, duke theksuar se kjo shifër ka gjasa të jetë krijuar për qëllime marketingu të pedometrit, sesa të jetë mbështetur në të dhëna shkencore.
Një studim i ri i publikuar në Lancet Public Health që analizoi mbi një dekadë kërkimesh, tregon se vetëm 7,000 hapa në ditë janë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm rrezikun nga disa sëmundje kronike dhe nga vdekshmëria e hershme.
7,000 hapa: një objektiv i arritshëm dhe efektiv
Studiues nga Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia analizuan dhjetëra studime me rreth 160,000 të rritur dhe zbuluan se, krahasuar me ata që bënin vetëm 2,000 hapa në ditë, ata që bënin 7,000 hapa kishin:
- 38% më pak rrezik për demencë
- 25% më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare
- 28% më pak rënie aksidentale
- Rreziku i vdekjes së parakohshme ishte thuajse përgjysmuar
Gjithashtu u vu re një ulje në rrezikun për depresion dhe diabet të tipit 2, edhe pse në masë më të vogël.
“Me përhapjen gjithnjë e më të madhe të pajisjeve që matin hapat, njerëzit kërkojnë të dinë një objektiv konkret,” – thotë Melody Ding, hulumtuese e shëndetit publik në Universitetin e Sidneit dhe autore kryesore e studimit. “Tani kemi arsye të forta për të rekomanduar 7,000 hapa në ditë si një objektiv të vlefshëm.”
Më shumë të dhëna, më shumë saktësi
“Më në fund kemi prova të mjaftueshme për të ndryshuar këshillat që u japim pacientëve tanë. Nuk duhet të arrish medoemos 10,000 hapa për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm,” – thotë Michael Rocha, kardiolog nga Massachusetts dhe udhëheqës i programit “Walk with a Doc”.
Deri në vitin 2020, nuk kishte prova të mjaftueshme për të sugjeruar një objektiv të saktë hapash në udhëzimet ndërkombëtare për aktivitetin fizik. Kjo bëri që shifra 10,000 të mbetej si “standardi i artë” – edhe pse shumë njerëz nuk e arrinin dot.
Një studim i përfshirë në analizën e re, i publikuar në vitin 2023, tregoi se edhe vetëm 2,800 hapa në ditë ulin rrezikun për sëmundje të zemrës, ndërsa përfitimet më të mëdha vëreheshin rreth 7,200 hapave. Disa përfitime shtesë u vunë re deri në 10,000 hapa – për shembull, ulje më e madhe në vdekshmërinë nga kanceri, simptoma të depresionit dhe demencës – por diferenca ishte e vogël krahasuar me nivelin 7,000.
Për shumë sëmundje të tjera, si diabeti i tipit 2, 3,000 hapat shtesë nuk sillnin ndonjë përfitim domethënës. Sipas studimit, 10,000 hapa mund të mbetet një objektiv për ata që janë më aktivë fizikisht, por nuk është e nevojshme për të gjithë.
Mos prisni, nisni të ecni
Studiuesit shqyrtuan 57 studime nga 35 grupe të ndryshme pjesëmarrësish, përfshirë njerëz nga SHBA, Britania, Japonia, Australia dhe vende të tjera. Disa përfshinin të rritur të moshuar ose individë me sëmundje kronike, por shumica përfshinin të rritur të shëndetshëm.
Shumë nga këto studime fokusoheshin tek vdekshmëria nga të gjitha shkaqet dhe sëmundjet e zemrës – fusha ku përfitimet nga ecja janë të njohura. Por gjithashtu u analizuan edhe efektet e ecjes në sëmundjet e kancerit, diabetit të tipit 2, shëndetit mendor, funksioneve njohëse dhe rënieve aksidentale.
Studiuesit theksojnë se numri relativisht i vogël i studimeve për disa prej këtyre kushteve shëndetësore mbetet një kufizim i analizës, por shpresojnë që me kalimin e kohës të shtohen të dhënat për përmirësime të mëtejshme.
Gjithashtu, edhe pse shpejtësia e ecjes ka gjasa të ndikojë në përfitimet shëndetësore, studimi nuk mundi të përcaktojë me saktësi se cili është ritmi ideal.
Sidoqoftë, konfirmimi se ecja prej vetëm 7,000 hapash në ditë mund të parandalojë sëmundje serioze si demenca është një lajm i mirëpritur nga komuniteti mjekësor.
“Ushtrimet aerobike janë një nga mënyrat më të fuqishme për të parandaluar ose vonuar shfaqjen e demencës,” – thotë Stephanie Towns, neuropsikologe në Yale School of Medicine. Ajo thekson se ecja ndihmon në qarkullimin e oksigjenit dhe ushqyesve në tru, si dhe në kontrollin e faktorëve të rrezikut si tensioni i lartë.
Siç thotë Melody Ding: “Mos prisni – vishni atlete dhe filloni të ecni që sot.”