Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka njoftuar se vendi do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke thënë se telefonat dhe platformat sociale “po u vjedhin fëmijëve fëmijërinë”.
Gjatë fjalimit të saj të martën në hapjen e Parlamentit danez (Folketing), Frederiksen deklaroi: “Ne kemi lëshuar një përbindësh. Kurrë më parë kaq shumë fëmijë dhe të rinj nuk kanë vuajtur nga ankthi dhe depresioni.”
Sipas saj, shumë fëmijë kanë gjithashtu vështirësi në lexim dhe përqendrim, ndërsa “në ekrane ata shohin gjëra që asnjë fëmijë apo i ri nuk duhet t’i shohë”.
Frederiksen nuk përmendi cilat platforma do të përfshihen në masë, por tha se ndalimi do të zbatohet për “disa” rrjete sociale. Prindërit do të kenë mundësi të japin leje për përdorim që në moshën 13-vjeçare. Qeveria shpreson që ndalimi të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm.
Masa e Danimarkës vjen pas shembullit të Australisë, e cila po ndalon përdorimin e platformave si Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube për nën 16-vjeçarët, si dhe të Norvegjisë, ku kryeministri Jonas Gahr Støre ka paralajmëruar vendosjen e një kufiri të ri minimal moshe prej 15 vjeç, në vend të 13.
Støre ka pranuar se ky do të jetë “një betejë e vështirë”, por theksoi se politikanët duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur fëmijët nga “fuqia e algoritmeve”.
Ministrja daneze e Dixhitalizimit, Caroline Stage, e quajti nismën “një përparim të madh”.
“E kam thënë edhe më parë dhe do ta them sërish: kemi qenë shumë naivë. U kemi lënë jetën dixhitale të fëmijëve platformave që kurrë nuk kanë pasur në mendje mirëqenien e tyre. Tani duhet të kalojmë nga ‘robëria dixhitale’ drejt komunitetit,” tha ajo.
Në fjalimin e saj, Frederiksen përmendi të dhëna shqetësuese: 60% e djemve danezë të moshës 11 deri në 19 vjeç nuk takojnë asnjë mik në kohën e lirë, ndërsa 94% e fëmijëve në klasën e shtatë kanë profil në rrjete sociale përpara se të mbushin 13 vjeç.
“Telefonat dhe rrjetet sociale po na vjedhin fëmijërinë e fëmijëve tanë,” theksoi ajo.
Ky njoftim vjen disa muaj pasi Danimarka vendosi ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në të gjitha shkollat dhe qendrat pas-shkollore. Vendimi u mor pas rekomandimeve të një komisioni qeveritar për mirëqenien, i cili zbuloi se fëmijët nën 13 vjeç nuk duhet të kenë një smartphone ose tablet personal.
Studimet mbi ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe të rinjtë po detyrojnë gjithnjë e më shumë qeveri në mbarë botën të rishikojnë qasjen e tyre ndaj këtij problemi. Në qershor, Greqia propozoi që Bashkimi Europian të caktojë një “moshë dixhitale të rriturie”, që do t’u ndalonte fëmijëve përdorimin e rrjeteve sociale pa pëlqimin e prindërve.